Detaje të reja janë zbuluar lidhur me arratisjen e Altin Ndocit nga Spitali Rajonal i Durrësit, ku ai ishte dërguar për vizitë mjekësore së bashku me disa të burgosur të tjerë, nën shoqërimin e efektivëve të burgjeve.
Sipas emisionit investigativ “Në Shënjestër”, efektivi i burgjeve që ka ndjekur nga afër Ndocin në momentin e largimit të tij, madje duke qëlluar edhe një herë në ajër, është identifikuar si Fatjon Baci.
Baci është i njëjti efektiv që vitin e kaluar është përfshirë në një tjetër episod të shqyrtuar nga organet e drejtësisë, këtë herë i lidhur me kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.
Ky efektiv i ka dhënë telefonin e tij Veliajt në furgonin e burgut, në kohën kur ky i fundit po transportohej nga paraburgimi i Durrësit drejt ambienteve të SPAK në Tiranë. Si pasojë e këtij episodi, ndaj Veliajt iu shtua edhe një akuzë tjetër, ajo e “futjes së sendeve të ndaluara në ambientet e vuajtjes së dënimit”.
Në dokumentet e hetimit, polici Fatjon Baci ka dhënë hollësi për disa komunikime telefonike të kryera nga Veliaj, në momente para dhe pas seancave gjyqësore të zhvilluara në muajin mars të vitit 2025.
Sipas dëshmisë së Bacit, Veliaj i ka kërkuar disa herë të përdorte telefonin e tij, me pretendimin se donte të komunikonte fillimisht me vëllain dhe më pas me bashkëshorten. Telefonatat janë kryer gjatë transportit nga gjykata drejt Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës.
“Erioni foli për 2–3 minuta me vëllain dhe më pas me bashkëshorten. Fliste për seancën, për atë që kishin thënë avokatët, prokurori dhe gjyqtari, duke thënë se kishte shpresa që të dilte, edhe pse ishte i shqetësuar që vendimi u shty”, ka deklaruar Baci.
Më tej, dëshmia e tij merr tone më të rënda, pasi përmendet edhe një i ashtuquajtur “Plan B” për t’i shpëtuar burgut.
“Erioni tha se duhej të sakrifikonin një nga studentët për t’u futur si deputet, që ai të merrte mandatin dhe t’i shpëtonte SPAK-ut. Përmendi emra si Tërmet Peci dhe dikë me mbiemër Malaj, që sipas tij po bëheshin deputetë për të shmangur ndjekjen penale”, thuhet në dëshmi.
Në dosjen hetimore, Fatjon Baci shpjegon se pas përfundimit të seancës gjyqësore të datës 11.03.2025, rreth 5–10 minuta pasi ishte nisur furgoni, pranë shinave te lumi i Tiranës, Erion Veliaj i ka kërkuar telefonin për të telefonuar vëllain, duke thënë se ndihej keq. Sipas Bacit, ai ia ka dhënë telefonin, ndërsa numrat janë formuar vetë nga Veliaj.
Baci deklaron se gjatë bisedës ka dëgjuar Veliajn të fliste për zhvillimin e seancës, për shqetësimin e tij dhe për shpresat që kishte për lirimin. Ai shton se, për shkak të zhurmës në rrugë, nuk ka arritur të kuptojë saktësisht momentin e mbylljes së telefonatës së parë dhe nisjen e së dytës, por pohon se telefoni është përdorur për rreth 2–3 minuta.
Në lidhje me shoqërimin e Veliajt, Baci shpjegon se telefoni i është kërkuar edhe para mbërritjes në SPAK, si dhe pas përfundimit të seancës gjyqësore. Në komunikimin e datës 12.03.2025, para se të shkonte në SPAK, ai deklaron se nuk ka dëgjuar përmbajtjen e bisedës. Ndërsa pas daljes nga gjykata, gjatë kthimit për në IEVP Durrës, Veliaj i ka kërkuar sërish telefonin, të cilin Baci thotë se ia ka dhënë nga frika për shkak të pushtetit dhe figurës që përfaqësonte.
Sipas dëshmisë, Veliaj ka folur me vëllain, duke përcjellë vlerësimet e avokatëve për paraqitjen e tij në seancë dhe duke shprehur pakënaqësi për shtyrjen e shpalljes së vendimit. Më pas, pa ia kthyer telefonin Bacit, ka zhvilluar edhe një telefonatë tjetër, që sipas tij ka qenë me bashkëshorten, gjë që e ka kuptuar nga zëri femëror.
Gjatë kësaj bisede, Veliaj i ka kërkuar bashkëshortes të takonte avokatin për çështje prokure apo kontrate, si dhe ka folur për përgjimet dhe për ecurinë e çështjes. Pas telefonatave, ai ka kërkuar të përdorte telefonin edhe për disa minuta për të lexuar lajmet, duke shfletuar faqet e Top Channel dhe Tema. Sipas Bacit, telefoni iu kthye pa asnjë koment apo falënderim.
Në dëshminë e datës 13.03.2025, Baci deklaron se Veliaj i ka kërkuar sërish telefonin para mbërritjes në SPAK dhe pas njohjes me vendimin. Gjatë një prej këtyre telefonatave, Veliaj ka folur me vëllain duke u shprehur se “e kanë me mua personale”, ndërsa në një tjetër bisedë me bashkëshorten, sipas Bacit, ai është dëgjuar duke qarë dhe duke folur për djalin e tyre.
Në këtë komunikim, Veliaj ka përmendur sërish “Planin B”, duke thënë se duhej të sakrifikohej një nga studentët për t’u futur si deputet, në mënyrë që ai vetë të merrte mandatin dhe t’i shpëtonte burgut. Në këtë kontekst, ai ka përmendur edhe emra të tjerë kryebashkiakësh, si Tërmet Peci dhe një person me mbiemrin Malaj, të cilët sipas tij po bëheshin deputetë për t’iu shmangur ndjekjes penale nga SPAK.
Po ashtu, Veliaj ka folur edhe për Ulsiun, duke thënë se e kishte nxjerrë vetë deputet nga zona e Paskuqanit ose Laprakës, por se nuk e kishte ditur që ai mbante anën e SPAK-ut.
Pas përfundimit të bisedave telefonike, Veliaj ka kërkuar sërish të lexonte lajmet, sipas dëshmisë së efektivit Fatjon Baci.
