
Operacioni “Operacionalja” çon në arrestimin e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me masë arresti që prej vitit 2007
Policia e Tiranës ka arrestuar një shtetas 52-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Maqedonia e Veriut për vrasjen e tri personave. Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Operacionalja”, në zonën e Liqenit të Thatë.
Në pranga ka rënë shtetasi Besim Sherifi, 52 vjeç, banues në fshatin Kopanicë, Saraj, Maqedoni e Veriut. Sipas policisë, arrestimi u bë pasi Interpol Shkup e kishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Shkupit të vitit 2007, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë arrest në burg për veprën penale vrasja, e dënueshme deri me burgim të përjetshëm nga legjislacioni penal i Maqedonisë së Veriut.
Autoritetet dyshojnë se më 5 tetor 2007, në fshatin Kopanicë të Shkupit, 52-vjeçari ka vrarë me armë zjarri tre shtetas. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij, policia ka sekuestruar një pasaportë kosovare, kartë identiteti kosovare dhe leje drejtimi automjeti të dyshuara si të falsifikuara, me gjeneralitete të një shtetasi nga Kosova.
Materialet procedurale për veprën penale falsifikimi i dokumenteve i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme ligjore. Ndërkohë, Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Shkupin do të vijojë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Maqedonisë së Veriut.
