
Policia greke ndalon në aeroport Ardian Gërbin, të dënuar me 7 vite e 4 muaj burg për trafik droge; nisin procedurat e ekstradimit
Një 48-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim nga Interpol prej 17 vitesh, është arrestuar nga autoritetet greke në Aeroportin Eleftheros Venizelos të Athinës. Bëhet fjalë për Ardian Gërbin nga fshati Bënçë i Tepelenës, i cili u ndalua më 29 nëntor, ndërsa policia greke ka bërë sot publike detajet e kapjes së tij.
Sipas njoftimit zyrtar, Gërbi rezulton i dënuar në Shqipëri me 7 vjet e 4 muaj burg për trafik të lëndëve narkotike. Hetimet e vitit 2008 e lidhin atë me shitjen e 3 kilogramëve marijuanë dhe 290 gramëve kokainë një personi tjetër, çështje për të cilën ai u shpall në kërkim ndërkombëtar.
Pas arrestimit në Athinë, autoritetet greke kanë nisur procedurat e ekstradimit drejt Shqipërisë, ku Gërbi pritet të vuajë dënimin e mbetur.
