
Mes 15 viktimave të masakrës gjatë festës hebraike Hanukkah ishte edhe një i mbijetuar i nazizmit dhe një rabin i njohur
Një histori tronditëse ka dalë në dritë pas sulmit terrorist në plazhin Bondi Beach në Australi, ku mes 15 personave të vrarë ishte edhe një i mbijetuar i Holokaustit. Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën, më 14 dhjetor, kur dy persona të armatosur hapën zjarr ndaj turmës së mbledhur për të festuar Hanukkah, një nga festat më të rëndësishme të komunitetit hebre.
Sipas autoriteteve dhe organizatave hebraike lokale, sulmi kishte në shënjestër të drejtpërdrejtë komunitetin hebre dhe la mbi 40 persona të plagosur. Viktimat përfshijnë burra, gra dhe të rinj që ndodheshin në një nga zonat më të frekuentuara turistike të Sidneit.
Mes të vrarëve ishte edhe një rabin 41-vjeçar, Eli Schlanger, figurë e njohur komunitare dhe një nga organizatorët e aktivitetit fetar. Ai njihej për angazhimin e tij social dhe për rolin aktiv në forcimin e komunitetit hebre në Australi.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë në opinionin publik ndërkombëtar, ndërsa autoritetet australiane e kanë cilësuar sulmin si akt terrorist me motive urrejtjeje fetare. Në Bondi Pavilion janë vendosur qindra lule dhe mesazhe ngushëllimi, ndërsa familjarë dhe qytetarë kanë ndezur qirinj në kujtim të viktimave.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe rrjetin pas këtij sulmi të përgjakshëm, i cili ka rikthyer frikën e terrorizmit dhe antisemitizmit në një nga vendet që konsiderohej simbol i sigurisë dhe bashkëjetesës.
