20-vjeçari u kap i veshur me uniformë policie, me dokumente dhe stema të falsifikuara. Ai ka deklaruar se armën imituese e kishte blerë në treg dhe se aspironte të dukej si oficer.
Një 20-vjeçar nga Kamza është vënë nën hetim, pasi u kap duke u prezantuar si punonjës i Policisë së Shtetit. Bëhet fjalë për Ervis Brashën, i cili u ndalua teksa drejtonte automjetin e tij, i veshur me uniformë të ngjashme me atë të policisë dhe me grada në krahë.
Gjatë kontrollit, ai nuk rezultoi të ishte pjesë e strukturave të rendit. Në automjet dhe në trupin e tij u gjetën spaleta të ndryshme me grada, stema të gjoksit me shenja të Policisë së Shtetit, si dhe tre karta identiteti të dyshuara të falsifikuara, ku figuronte si punonjës policie dhe i policisë bashkiake.
Në dëshminë e dhënë para hetuesve, Brasha është shprehur se armën imituese e kishte blerë në treg dhe se prej kohësh ishte i fiksuar pas rolit të policit. Ai ka pohuar se ishte i tërhequr nga grada e komisarit dhe se dëshironte të “dukej si oficer”.
I riu akuzohet për disa vepra penale, mes të cilave falsifikim të dokumenteve, mbajtje të paautorizuar të uniformës, përdorim të titujve shtetërorë pa të drejtë dhe mbajtje pa leje të armëve sportive.
Çështja i është kaluar Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme.
