
Raporti i Tranzicionit 2025–26 i BERZH paralajmëron se emigracioni masiv dhe plakja e popullsisë po frenojnë rritjen ekonomike të Shqipërisë për dekadat e ardhshme
Raporti i Tranzicionit 2025–26 i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me titull “Një botë e vjetër, por më e guximshme”, i prezantuar sot në ambientet e Bankës së Shqipërisë, e rendit emigracionin si një nga sfidat më të rënda strukturore për Shqipërinë. Sipas dokumentit, largimi i popullsisë ka arritur nivele shqetësuese dhe nuk tregon shenja ndaljeje.
Raporti evidenton se Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet me emigracionin më të lartë në hapësirën postkomuniste që nga viti 1990. Shqipëria ka humbur rreth 40 për qind të popullsisë së vitit 1990 në periudhën 1990–2023 vetëm nga emigracioni neto, duke u renditur e dyta në Europë dhe ndër ekonomitë e BERZH për nga humbja demografike.
Edhe pse shtesa natyrore ka qenë pozitive për pjesën më të madhe të kësaj periudhe dhe ka kompensuar rreth 27 për qind të popullsisë së vitit 1990, kjo nuk ka mjaftuar për të neutralizuar efektin e largimeve masive. Një situatë edhe më e rëndë paraqitet në Kosovë, e cila ka humbur rreth 50 për qind të popullsisë së vitit 1990, niveli më i lartë në Europë, pavarësisht një shtese natyrore më të fortë.
Sipas raportit, kjo tkurrje demografike po përkthehet drejtpërdrejt në frenim ekonomik. Për herë të parë, BERZH mat ndikimin vjetor të demografisë në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, duke treguar se për Shqipërinë kontributi i popullsisë ka qenë negativ gjatë viteve 2000–2023, me rreth 0.2 pikë përqindje rritje të humbur çdo vit.
Parashikimet për periudhën 2024–2050 janë edhe më pesimiste, me një ndikim negativ që pritet të thellohet në 0.3–0.4 pikë përqindje në vit. Sinjali mbetet negativ edhe në horizontin 2050–2100, duke konfirmuar se plakja e popullsisë dhe tkurrja e forcës së punës do të vazhdojnë të rëndojnë mbi ekonominë shqiptare.
Raporti nënvizon se mungesa e fuqisë punëtore, rritja e numrit të të moshuarve dhe dobësimi i bazës së kontribuuesve në skemat sociale po krijojnë presion të vazhdueshëm mbi ekonominë. Pa rritje të produktivitetit, investime teknologjike dhe përmirësim të klimës së biznesit, emigracioni masiv pritet të vijojë për të paktën tre dekada.
Në këtë kontekst, përfaqësuesja rezidente e BERZH në Shqipëri, Ekaterina Solovova, ka deklaruar se pothuajse një e katërta e shqiptarëve me arsim të lartë kanë emigruar. Sipas saj, shumë pak profesionistë me arsim universitar kanë ardhur në Shqipëri nga vende të tjera, duke krijuar një bilanc thellësisht negativ të talenteve.
Të dhënat tregojnë se rreth 23% e të arsimuarve shqiptarë kishin emigruar në vitet 2023–2024, ndërsa vetëm 2 deri në 3% janë rikthyer. Krahasuar me 38 vende të rajonit të BERZH, Shqipëria renditet ndër vendet me nivel shumë të lartë të emigracionit të trurit dhe me norma minimale kthimi.
Raporti thekson se vendi po humbet më shumë profesionistë sesa arrin të tërheqë, duke u futur në një rreth vicioz ku mungesa e kapitalit njerëzor pengon modernizimin e ekonomisë, ul produktivitetin dhe nxit më tej emigracionin. Sipas BERZH, sfida kryesore për politikëbërësit mbetet krijimi i kushteve reale për kthimin e profesionistëve, përmes lehtësive fiskale, skemave të bashkë-investimit dhe forcimit të qeverisjes dhe klimës së biznesit.
