Kafeja ku emrat më të votuar të PD u bënë bashkë për të diskutuar mbi rezultatin e zgjedhjeve ka sjellë jo pas replika dhe reagime mes demokratëve.
Ilir Alimehmeti jo pa ironi i është përgjigjur komenteve të Gazmend Bardhit mbi diskutimin që zgjati mbi tre orë.
“Të them të drejtën dhe unë statuseve në FB nuk komentoj, po të donte të na thërriste Këshilli Kombëtar do shkoja, pra mundësia për të fol nuk ka qenë. Lënia pa diskutuar e demokratëve sjellin situata si këto, që kemi një qeveri të kalbur që nuk hidhet dot në tokë, dhe një opozitë që nuk sjell dot njerëz.
Pse arritëm në mbledhjen e kësaj tryeze? Kjo pyetje u duhet bërë atyre. Ata nuk e kanë bërë dhe i kanë larguar njerëzit, ne thjeshtë vazhdojmë punën, të kuptojmë ku jemi dhe ku janë problematikat”, tha Alimehmeti i ftuar në Top Story.
Megjithatë ai shtoi se ishte një tryezë mes demokratësh, për të kuptuar problemet tona ku janë dhe të shtyjmë kauzat tona më tej.
“PD do duhet të forcohet dhe për këtë duhet të kuptojë ku ka gabime, që të shmanget nga modele që kanë treguar që nuk kanë funksionuar. Me të gjithë kandidatët që flasim në qarqe, na thanë që nuk jemi kontaktuar më, janë lënë në harresë. Nuk mendoj se kjo është rruga e duhur.
Ajo që kuptuam, më e vështirë ka qenë për të kuptuar si janë qarqet e tjera, por kuptuam që kanë qenë të njëjtat problematika në çdo qark.
Kandidatët do duhej të ishin thirr nga Kryesia, apo Këshilli Kombëtar, për t’u dëgjuar dhe ana e tyre”, tha ai.
