
Ish-çifti i njohur i Big Brother VIP rikthehet në qendër të vëmendjes pas reagimit të fortë të Ilnisës, që i përgjigjet publikisht Meritonit në mënyrë të ashpër përmes rrjeteve sociale
Konflikti mes Ilnisa Agollit dhe Meriton Mjekiqit duket se po merr një kapitull të ri. Pas deklaratës ironike të Meritonit, i cili e quajti ish-partneren e tij “Ilnisa e showbizit”, një etiketim që u interpretua si nënvlerësim për lidhjen e tyre, gazetarja ka reaguar publikisht dhe me tone të forta.
Në një postim në Instagram, të shoqëruar me një foto ku shfaqet e qetë, por me një qëndrim të ftohtë e të vendosur, Ilnisa shkroi: “My attitude is bigger than your ego” (Qëndrimi im është më i madh se egoja jote). Mesazhi u lexua menjëherë nga ndjekësit si një përgjigje direkte për Meritonin, duke rikthyer debatin mbi raportin e tyre të përfunduar me tension.
Romanca e dyshes nisi brenda shtëpisë së Big Brother VIP Albania dhe u kthye në një nga historitë më të ndjekura të formatit. Por, pas përfundimit të spektaklit, marrëdhënia u shkatërrua mes thumbimesh publike, heshtjes së gjatë dhe komenteve me tone ironike.
Reagimi i fundit i Ilnisës tregon se plagët e kësaj ndarje nuk janë shëruar dhe se ajo nuk është e gatshme të lejojë që emri i saj të përdoret për protagonizëm. Ndërkohë, Meriton Mjekiqi nuk ka bërë ende një reagim të ri, por fansat e të dyve presin me interes nëse kjo luftë virtuale do të ketë një raund tjetër publik.