Kryetarja e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, Ina Zhupa, është përplasur sot me mazhorancën gjatë mbledhjes së komisionit, duke akuzuar shumicën se po e trajton Kuvendin si një institucion njëpartiak.Zhupa reagoi pas rrëzimit të kërkesave të opozitës për ngritjen e dy komisioneve hetimore, për zgjedhjet e 11 majit dhe çështjen “McGonigal”, duke e quajtur vendimin antikushtetues dhe në kundërshtim me parimet demokratike.
Mazhoranca ditë pas dite po e trajton kuvendin si njëpartiak, ku vendimarrjet nuk vijnë si rezultat i zbatimit të kushtetutës dhe rregullores por si rezultat i forcës së kartonit. Ju rrëzoni me votë të drejtat kushtetuese të opozitës, që nga komisionet hetimore sic ishin ai për zgjedhjet dhe McGonigal, të interpelancat me kryeministrin, seancat dëgjimore me ministrat, mocionet me debat.
Ndërkohë që predikoni rrugëtimin europian për Shqipërinë, silleni me standarte afrikane. Ju e keni ëndërr një parlament monopartiak si Enver Hoxha por ne nuk ja u lejojmë. Do qëndrojmë në mbrojtje të kushtetutës, të interesit publik, në komisione, në seanca dhe kudo në çdo hapësirë. Për të shfrytëzuar çdo hapësirë për t’u përballur me të keqen. Ju nuk doni të flitet për skandalin e onkologjikut, për mungesën e ilaceve, për skandalin e fondeve IPARD dhe gjendjen e mjerueshme të fermerit”, u shpreh Zhupa duke iu drejtuar socialistëve.
