 
        Pas më shumë se dy dekadash punimesh dhe vonesash, Kairo inauguron më 1 nëntor Muzeun e Madh Egjiptian, ndërtesën më të madhe në botë të kushtuar një qytetërimi të vetëm, që pritet të shndërrohet në qendrën e re të turizmit egjiptian.
Në prag të hapjes së tij zyrtare, Egjipti prezanton një ndër projektet më madhështore kulturore të shekullit XXI: Grand Egyptian Museum (GEM), i ndërtuar në hyrje të kompleksit të piramidave të Gizës. Me një sipërfaqe gjigante dhe një arkitekturë bashkëkohore që ndërthur dritën, hapësirën dhe historinë, muzeu përfaqëson ambicien e shtetit për ta bërë trashëgiminë faraonike bosht të identitetit kombëtar dhe motor të zhvillimit turistik.
Në hyrje të muzeut qëndron tashmë figura monumentale e Ramses II, një statujë prej 83 tonësh dhe 11 metrash lartësi, që prej vitesh ka qenë simbol i qytetit të Kajros. Kjo vepër, e gjetur në vitin 1820 në Memphis dhe e vendosur më vonë në qendër të kryeqytetit nga Gamal Abdel Nasser, është zhvendosur për herë të tretë për të mirëpritur vizitorët në tempullin e ri të historisë egjiptiane.
Muzeu do të strehojë më shumë se 100 mijë objekte arkeologjike, përfshirë koleksionin e plotë të thesareve të Tutankhamunit, që do të ekspozohen për herë të parë në mënyrë të integruar. Struktura moderne, e ndriçuar nga dritë natyrore dhe me pamje direkte nga piramidat, është ndërtuar për të ofruar një përvojë të ndërthurur mes teknologjisë dhe arkeologjisë.
Projekti, i nisur në vitin 2002 dhe me një kosto që kap vlerën e 1 miliard dollarëve, është konsideruar si një rilindje kulturore e Egjiptit. Qeveria egjiptiane shpreson që hapja e muzeut të dyfishojë numrin e vizitorëve të huaj, duke e forcuar pozitën e vendit si destinacioni më i rëndësishëm i trashëgimisë historike në botë.
Me hapjen e Muzeut të Madh Egjiptian, historia e lashtë dhe ambicia moderne e Kajros ndërthuren në mënyrë simbolike, një urë midis të kaluarës faraonike dhe së ardhmes që synon ta vendosë Egjiptin në qendër të kulturës botërore.

 
         
         
        