
Klodi i hedh pije energjike në sy Labinot Rexhës, familja kërkon masa të menjëhershme nga produksioni
Situata në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova është tensionuar ndjeshëm gjatë ditës së sotme, pas një debati të ashpër mes Labinot Rexha dhe Klodi, i cili ka përfunduar në një incident serioz. Sipas pamjeve të transmetuara dhe raportimeve nga brenda shtëpisë, Klodi i ka hedhur pije energjike në fytyrë Labinotit, në momentin kur ky i fundit ndodhej i shtrirë në shtrat.
Menjëherë pas ngjarjes, Labinoti është shprehur se nuk po shihte mirë, duke shkaktuar shqetësim për gjendjen e tij shëndetësore, veçanërisht për sytë. Incidenti ka ngjallur reagime të forta edhe jashtë shtëpisë, ku familja dhe menaxhmenti i tij kanë publikuar një deklaratë zyrtare në rrjetet sociale.
Në reagimin e bërë publik, veprimi cilësohet i papranueshëm dhe i rrezikshëm, duke theksuar se ndaj Labinotit është ushtruar presion psikologjik dhe një akt që tejkalon çdo kufi debati apo loje televizive. Sipas familjes, hedhja e pijes energjike në zonën e syve përbën rrezik serioz për shëndetin dhe nuk mund të tolerohet në asnjë rrethanë.
Gjithashtu, familja shpreh shqetësim për faktin që Klodi vijon të qëndrojë në shtëpi pa masa të dukshme disiplinore, duke paralajmëruar se tolerimi i akteve të tilla krijon një precedent të rrezikshëm brenda formatit të spektaklit.
Në përfundim të deklaratës, familja dhe përfaqësuesit e Labinot Rexhës i bëjnë thirrje produksionit dhe Vëllait të Madh që rasti të trajtohet me seriozitet maksimal dhe të merren masat disiplinore në përputhje me rregulloren e Big Brother VIP Kosova.
