
Ngjarja tronditëse ndodhi në Maharashtra, tre persona u arrestuan nga policia
Një ngjarje e rëndë ka tronditur shtetin e Maharashtrës në Indi, ku një infermiere 30-vjeçare dyshohet se është përdhunuar nga disa persona pasi trokiti gabimisht në një dhomë hoteli. Sipas autoriteteve policore, incidenti ka ndodhur mes mbrëmjes së së mërkurës dhe orëve të para të së enjtes.
Viktima, e cila punon në një spital privat, ndodhej në hotel për të vizituar një shoqe. Ajo ka trokitur gabimisht në dhomën me numër 205 në vend të dhomës 105, ku ndodheshin tre burra që po konsumonin alkool. Sipas hetimeve paraprake, ajo është futur me forcë në dhomë, është detyruar të pijë alkool dhe më pas është sulmuar seksualisht.
Infermierja ka arritur të largohet nga dhoma në orët e para të mëngjesit dhe ka denoncuar menjëherë ngjarjen në polici. Brenda tre orësh nga kallëzimi, autoritetet kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë tre të dyshuarit, shtetasit Ghanshyam Rathod 27 vjeç, Rishikesh Chavan 25 vjeç dhe Kiran Rathod 27 vjeç.
Policia bëri me dije se të arrestuarit janë miq mes tyre dhe se po hetohen rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa viktima ndodhet nën kujdes mjekësor dhe psikologjik. Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe ka rihapur debatin për sigurinë e grave në ambientet publike dhe private në Indi.
