
Pamje virale nga Odisha ndezin debat politik për papunësinë dhe kushtet e rekrutimit
Mbi 8 mijë kandidatë janë detyruar të japin provimin për punësim në një pistë avionësh në shtetin Odisha të Indisë, në një nga skenat më të pazakonta të rekrutimit publik që ka bërë xhiron e rrjeteve sociale. Provimi u zhvillua në pistën Jamadarpali Air Strip, në distriktin Sambalpur, për vetëm 187 vende pune si Home Guard.
Pamjet tregojnë kandidatët të ulur direkt në asfalt, pa banka apo dyshekë, duke shkruar provimin mbi sipërfaqen e pistës. Autoritetet përdorën edhe dronë për të monitoruar procesin dhe për të shmangur shkeljet, ndërsa mungesa e infrastrukturës ka ngritur kritika të forta.
Sipas policisë lokale, interesimi ishte shumë më i madh nga sa ishte parashikuar. Mbi 10 mijë aplikime u depozituan për vende pune që kërkonin vetëm arsim fillor, ndërsa shumë kandidatë rezultuan të kualifikuar me diploma universitare si MBA apo MCA. Pagesa e ofruar për këtë punë është më pak se 650 rupi në ditë.
Ngjarja ka shkaktuar reagime politike. Partia Trinamool Congress ka akuzuar qeverinë qendrore dhe atë lokale për dështim në krijimin e vendeve të punës, duke e cilësuar situatën si pasqyrë të papunësisë së thellë në vend. Nga ana tjetër, autoritetet lokale kanë deklaruar se u detyruan të përdorin pistën për shkak të mungesës së hapësirave të përshtatshme për një numër kaq të madh kandidatësh.
Rasti ka hapur një debat të gjerë në Indi mbi papunësinë, dinjitetin e punësimit dhe kushtet në të cilat qytetarët kërkojnë një vend pune, duke u kthyer në simbol të krizës së tregut të punës në vend.
