
Ministria e Jashtme e cilëson referencën në dokumentet amerikane si shpifje të pabazuara dhe deklarata pa asnjë vlerë
Qeveria e Indisë ka reaguar ashpër ndaj përmendjes së emrit të kryeministrit Narendra Modi në dosjet hetimore që lidhen me Jeffrey Epstein, duke e hedhur poshtë kategorikisht çdo aludim si të pavërtetë dhe fyes.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme e Indisë bëri të ditur se referenca e përfshirë në një email të ashtuquajtur nga dosjet Epstein nuk ka asnjë bazë reale dhe nuk përbën fakt. Zëdhënësi i ministrisë, Randhir Jaiswal, theksoi se përtej faktit të vizitës zyrtare të kryeministrit Modi në Izrael në korrik të vitit 2017, çdo tjetër përmendje është thjesht një trillim pa vlerë.
Sipas tij, bëhet fjalë për spekulime të një personi të dënuar penalisht, të cilat duhet të hidhen poshtë me përbuzjen më të madhe. Autoritetet indiane theksuan se dokumentet në fjalë nuk përmbajnë prova apo fakte që lidhin kryeministrin me ndonjë veprimtari të paligjshme.
Email-i ku përmendet emri i Modit është pjesë e një pakete të madhe dokumentesh hetimore të publikuara së fundmi nga Department of Justice, në kuadër të një ligji amerikan për transparencën, që detyron publikimin e materialeve të lidhura me çështjen Epstein.
Sipas autoriteteve amerikane, publikimi përfshin rreth 3.5 milionë faqe dokumentesh dhe mbi 2 mijë video, por vetë përfshirja e një emri në këto dosje nuk nënkupton automatikisht përfshirje në veprime të paligjshme.
Qeveria indiane theksoi se do të vazhdojë të mbrojë integritetin e institucioneve dhe figurave të saj shtetërore, duke i cilësuar këto pretendime si përpjekje për keqinformim dhe njollosje të figurave publike.
