
Nju Delhi bën thirrje për stabilitet rajonal dhe siguri për qytetarët, pas bombardimeve dhe arrestimit të Maduros
India ka reaguar zyrtarisht pas sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara në Venezuelë dhe arrestimit të ish-presidentit Nicolás Maduro, duke u bërë thirrje palëve të përfshira që të zgjidhin krizën përmes dialogut dhe mjeteve paqësore.
Në një deklaratë të publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Indisë, autoritetet në Nju Delhi shprehën shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit dhe theksuan se po e ndjekin nga afër situatën në terren. India riafirmoi mbështetjen për mirëqenien dhe sigurinë e popullit venezuelian, duke nënvizuar nevojën për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Sipas deklaratës, ambasada indiane në Caracas është në kontakt të vazhdueshëm me komunitetin indian në Venezuelë dhe është e angazhuar të ofrojë çdo ndihmë të nevojshme për qytetarët e saj, në një kohë kur tensionet janë në rritje.
Reagimi i Indisë vjen vetëm disa orë pasi autoritetet indiane u kishin bërë thirrje qytetarëve të tyre të tregojnë kujdes ekstrem, pas operacionit ushtarak amerikan të koduar Absolute Resolve. Gjatë këtij operacioni, forcat amerikane bombarduan objektiva në Caracas dhe arrestuan Maduron dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, duke i transferuar më pas në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti amerikan Donald Tramp ka deklaruar se Uashingtoni është i gatshëm të administrojë përkohësisht Venezuelën deri në një tranzicion të sigurt politik, duke shtuar se kompanitë e mëdha amerikane të naftës mund të përfshihen në rindërtimin e sektorit energjetik të vendit.
Qëndrimi i Indisë pason reagime të ngjashme nga disa vende të tjera, të cilat, ndonëse nuk kanë mbështetur drejtpërdrejt ndërhyrjen ushtarake, po bëjnë thirrje për shmangien e përshkallëzimit dhe për zgjidhje diplomatike të krizës, në mënyrë që të mos cenohet më tej stabiliteti i Amerikës Latine.
