
Reshjet e dëborës dhe vërshimet e përroit në zonën Guri i Kuq sjellin ndërhyrje emergjente me eskavatorë
Mëngjesi i kësaj të enjteje e ka gjetur juglindjen e vendit nën reshje dëbore me intensitet të ulët deri në mesatar, duke prekur të gjitha bashkitë e qarkut Korçë. Zonat ku reshjet kanë qenë më të theksuara janë Dardha, Voskopoja, Erseka dhe Qafa e Thanës.
Në Qafë Thanë po punohet me disa mjete borëpastruese për kriposjen dhe mbajtjen të hapur të akseve rrugore, ndërsa ndërhyrje të ngjashme janë shtrirë edhe në zona të tjera të qarkut. Deri në këto momente, qarkullimi i mjeteve vijon pa probleme serioze, pavarësisht reshjeve në vazhdim.
Situata është përkeqësuar në afërsi të zonës Guri i Kuq në Pogradec, ku për shkak të vërshimeve të përroit të Saselishtes, në rrugën kryesore kanë përfunduar aluvione dhe inerte si pasojë e gërryerjeve. Kjo ka sjellë edhe bllokimin e njërit prej tubave shkarkues drejt liqenit.
Si pasojë, njëra korsi e aksit rrugor Pogradec–Qafë Thanë është aktualisht e bllokuar nga uji dhe inertet e dala në rrugë. Në terren ndodhen dy eskavatorë, të cilët po punojnë për pastrimin e segmentit dhe rikthimin e qarkullimit normal.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në këtë aks, deri në normalizimin e plotë të situatës.
