
Të dhënat e INSTAT tregojnë se grupet që kanë ndikuar më shumë në rritjen e çmimeve janë qiratë, energjia dhe produktet ushqimore bazë.
Inflacioni në muajin nëntor ka arritur nivelin 2.1%, sipas shifrave zyrtare të INSTAT, duke reflektuar kryesisht rritje të qirave dhe shtrenjtim të ushqimeve bazë. Grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” ka dhënë ndikimin më të madh në rritjen e përgjithshme, me +0.81 pikë përqindje, ndërsa grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” ka ndikuar me +0.51 pikë përqindje.
Ndër produktet ushqimore, çmimet që kanë pësuar rritjen më të ndjeshme janë ato të qumështit, djathit dhe vezëve, të cilat janë shtrenjtuar me 4.9%. Rritje ka pasur edhe te vajrat dhe yndyrnat me 4.6%, te peshku me 3.3% dhe mishi me 2.9%.
Në rritje rezultojnë edhe disa kategori të tjera si mobiliet dhe pajisjet e shtëpisë (+0.21), pijet alkoolike dhe duhani (+0.14), hoteleri e restorante (+0.13) dhe shërbimet e tjera të ndryshme (+0.09). Ndërkohë, çmimet e transportit, komunikimit dhe argëtimit kanë pasur ndikim më të ulët në inflacion.
Krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, çmimet e qirave dhe energjisë janë rritur me 4%, ndërsa rritje kanë shënuar edhe pijet alkoolike e duhani (2.9%), mobiliet (2.8%) dhe kultura (2.6%).
Në krahasim me tetorin, çmimet kanë shënuar ulje të lehtë në grupet “Argëtim dhe kulturë” (-0.8%), “Veshje dhe këpucë” (-0.5%), si dhe te “Ushqime dhe pije joalkoolike” (-0.4%), ndërsa disa grupe të tjera mbeten në rritje.
