
Micah ndërroi jetë pas 11 ditësh luftë në spital, babai ndau mesazhin prekës me ndjekësit në rrjete sociale
Një lajm i dhimbshëm ka tronditur rrjetet sociale dhe komunitetin katolik ndërkombëtar. Influenceri amerikan Paul J. Kim ka njoftuar se djali i tij 5-vjeçar, Micah, ka ndërruar jetë më 31 dhjetor 2025, pasi u prek nga një formë shumë e rëndë e gripit.
Lajmin Kim e bëri publik përmes një videoje emocionale në Instagram, ku tha se pas 11 ditësh luftë të vështirë në spital, i biri “u kthye në shtëpinë e Atit”. Ai falënderoi mijëra ndjekës për lutjet dhe mbështetjen, duke e cilësuar këtë periudhë si më të vështirën e jetës së tij.
Paul Kim, i cili numëron mbi 300 mijë ndjekës dhe është i njohur për përmbajtjet mbi besimin katolik, kishte njoftuar për herë të parë më 21 dhjetor se Micah ishte shtruar me urgjencë në spital. Në ditët pasuese, ai tregoi se gjendja e të birit ishte përkeqësuar, duke sjellë komplikacione të rënda si sepsë, kriza dhe mungesë të aktivitetit të trurit, çka çoi në vendosjen e tij në aparatura jetike.
Në mesazhin e tij, Kim theksoi se, pavarësisht dhimbjes, është mirënjohës për mbështetjen e jashtëzakonshme që familja e tij mori nga njerëz nga e gjithë bota. Ai rrëfeu gjithashtu se historia e Micah ka prekur zemrat e mijëra personave dhe ka sjellë mesazhe shprese, lutjeje dhe solidariteti.
Micah la pas prindërit dhe familjen e tij, ndërsa babai i tij e përshkroi si “zemrën e shtëpisë” dhe një fëmijë që, edhe në ditët e fundit, arriti të frymëzojë e bashkojë njerëz përmes besimit dhe dashurisë.
