
27-vjeçarja, e njohur për angazhimin me klubin lokal dhe rrjetet sociale, kishte dhënë sinjale shqetësuese para vdekjes
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin sportiv dhe rrjetet sociale në Rumani, pas ndarjes nga jeta të influencueses dhe fotografes së futbollit Mălina Maria Guler, vetëm 27 vjeçe. Ajo ishte e njohur për mbulimin e ndeshjeve dhe aktiviteteve të klubit FC Bihor Oradea, si dhe për përmbajtjet e saj në Instagram, ku ndiqej nga mbi 31 mijë persona.
Sipas autoriteteve lokale, rrethanat e vdekjes janë ende nën hetim. Burime pranë saj kanë bërë të ditur se e reja po përballej me vështirësi të rënda personale dhe shëndetësore, ndërsa familjarët konfirmojnë se ajo kishte qenë e shqetësuar kohët e fundit. Disa orë para ngjarjes, Guler kishte publikuar materiale nga një aktivitet kulturor në qytet, duke shtuar shqetësimin mes ndjekësve dhe miqve të saj.
Klubi FC Bihor Oradea reagoi me një mesazh ngushëllimi, duke vlerësuar kontributin e saj profesional gjatë sezonit 2023–2024 dhe rolin në dokumentimin e momenteve kyçe të ekipit. Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht shkaqet dhe rrethanat e ndarjes nga jeta.
