
22-vjeçarja italiane thotë se lidhja me bashkëshortin 60-vjeçar nuk ka lidhje me paratë, por me dashurinë dhe vlerat e përbashkëta
Influencerja italiane Minea Pagni, 22 vjeçe, e cila u bë virale në rrjetet sociale për martesën me bashkëshortin e saj 60-vjeçar, Massimo, ka reaguar ndaj komenteve të ashpra dhe akuzave se është e interesuar vetëm për përfitime financiare. Pas publikimit të disa videove dhe fotove që tregojnë diferencën e madhe në moshë mes çiftit, ajo u përball me një valë kritikash dhe paragjykimesh online.
Pagni ka theksuar se vendimi i saj nuk lidhet aspak me paratë, por me ndjenjat dhe lidhjen e fortë emocionale që ka ndërtuar me partnerin e saj. Sipas saj, reduktimi i zgjedhjeve të një gruaje te interesi financiar është një stereotip i vjetër dhe i padrejtë. Ajo shprehet se ka objektivat, punën dhe pavarësinë e saj dhe se u martua me Massimon për mendjen, vlerat dhe mënyrën se si ai e do.
Historia e tyre nisi pesë vite më parë, kur Massimo ishte mësues filozofie në shkollën e mesme ku studionte Pagni. Ajo pranon se në atë kohë kishte një simpati për të, por asgjë nuk ndodhi. Vite më vonë, ata u ritakuam si dy të rritur, dhe pikërisht atëherë filloi marrëdhënia e tyre. Çifti u njoh sërish rastësisht në një librari dy vite më parë, nisi lidhjen dhe u martua në dhjetor.
Një video e postuar gjatë festave të fundvitit, ku ajo shprehte lumturinë që po kalonte Krishtlindjet me njeriun që dikur vetëm e kishte ëndërruar, arriti miliona shikime dhe ndezi debat të fortë në rrjet. Shumë përdorues e vunë në dyshim lidhjen, duke aluduar se ajo ishte e motivuar nga pasuria e bashkëshortit, ndërsa të tjerë shkuan edhe më tej me komente fyese.
Pagni ka reaguar duke sqaruar se ajo u tërhoq nga intelekti i Massimos, personaliteti i tij i hapur, dashuria për dijen dhe mungesa e paragjykimeve. Ajo mohoi gjithashtu spekulimet për pasuri luksoze, duke thënë se bashkëshorti i saj nuk mban ora të shtrenjta dhe se vlerëson më shumë dhuratat simbolike.
Edhe familja e saj, sipas Pagni, fillimisht kishte dyshime për lidhjen, por me kalimin e kohës, pasi panë respektin, mbështetjen dhe lumturinë që ajo gëzon, e pranuan plotësisht zgjedhjen e saj. Sot, thotë ajo, prindërit shohin një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të ndërtuar mbi dashuri.
Ndërsa debatet online vazhdojnë, influencerja thekson se kritikat shpesh pasqyrojnë frikërat dhe paragjykimet e shoqërisë, jo realitetin e lidhjes së saj, duke insistuar se dashuria e tyre është e vërtetë dhe e pavarur nga çdo interes material.
