Enea Busukja, 38-vjeçar nga Shkodra, ka rrëfyer momentet e tmerrit pas atentatit me tritol që tronditi qytetin verior. Hetimet për autorët vijojnë, ndërsa pistat mbeten të hapura.
Një ditë pas shpërthimit të fuqishëm që tronditi lagjen “Ndoc Mazi” në Shkodër, ka folur për herë të parë inspektori i Hetimit Tatimor, Enea Busukja, i cili mbeti i plagosur nga atentati me eksploziv të vendosur në automjetin e tij.
Në dëshminë e dhënë para grupit hetimor, Busukja ka deklaruar se nuk ka konflikte personale dhe se nuk e kupton arsyen e sulmit ndaj tij. “Nuk kam pasur probleme me askënd. Nuk kam asnjë ide kush mund ta ketë bërë. Po ndizja makinën kur ndodhi shpërthimi… gjithçka ndodhi për një sekondë,” mësohet të ketë thënë ai para hetuesve.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:35 të paradites së djeshme, në momentin që 38-vjeçari ndezi automjetin e tij. Sasia e vendosur e tritolit shpërtheu menjëherë, duke shkaktuar dëmtime të rënda në pjesën e përparme të makinës dhe plagosjen e inspektorit, i cili u dërgua me urgjencë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, policia e Shkodrës ka shoqëruar disa persona për verifikim, por autorët e sulmit mbeten ende të paidentifikuar. Grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë të zonës dhe po analizon pamjet për të rindërtuar lëvizjet e autorëve.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se autorët mund të jenë larguar drejt zonës së Dragoçit, ku u gjet më vonë e djegur makina e përdorur në atentat.
Ngjarja ka ngjallur tronditje në Shkodër, pasi viktima e atentatit është një funksionar publik i Drejtorisë së Hetimit Tatimor për Rajonin e Veriut, një institucion që merret me verifikimin e shkeljeve fiskale dhe goditjen e evazionit ekonomik, çka ngre dyshime se atentati mund të lidhet me detyrën e tij.
