
Ministri i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme Federale, Gunther Krichbaum, kërkon vijimin me vendosmëri të reformave dhe bashkëpunim institucional për avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian
Ministri i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë, Gunther Krichbaum, zhvilloi sot në Tiranë një seri takimesh politike të fokusuara në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Gjatë vizitës së tij, Krichbaum u takua me Kryeministrin Edi Rama, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, Zëvendësministren e Jashtme Megi Fino, si dhe me bashkëkryetarët e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian Taulant Balla dhe Jorida Tabaku. Ai zhvilloi gjithashtu takime me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi dhe me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme SPAK, Klodian Braho.
Në fokus të bisedimeve ishte rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, sfidat që shoqërojnë këtë proces dhe domosdoshmëria e forcimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në përfundim të takimeve, ministri gjerman vlerësoi potencialin e Shqipërisë dhe përpjekjet e ndërmarra për reforma, por theksoi se vendi ndodhet në një moment vendimtar. Sipas tij, procesi i integrimit kërkon vijimin me guxim të reformave, zbatimin konkret të reformës në drejtësi dhe një qasje të palëkundur ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Krichbaum nënvizoi se avancimi drejt Bashkimit Evropian kërkon bashkëpunim konstruktiv mes qeverisë, parlamentit dhe institucioneve të drejtësisë, brenda përgjegjësive kushtetuese të secilit aktor. Ai theksoi se Gjermania mbetet njëkohësisht mbështetëse, partnere dhe kritike ndaj Shqipërisë, me synimin që vendi të ecë përpara me vendosmëri në rrugën europiane.
