
Inteligjenca Artificiale do të përdoret për herë të parë në zgjedhjet lokale si pjesë e një projekti pilot të KQZ për të testuar numërimin digjital të votave dhe rritjen e transparencës në proces.
Në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, që do të zhvillohen në pesë bashki të vendit, Shqipëria do të testojë për herë të parë përdorimin e Inteligjencës Artificiale në procesin zgjedhor. Lajmin e bëri të ditur kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, gjatë një konference rajonale mbi digjitalizimin e zgjedhjeve në Ballkanin Perëndimor.
Celibashi deklaroi se projekti synon të rrisë transparencën dhe saktësinë e numërimit të votave, duke përdorur IA për të analizuar dhe vlerësuar fletët e votimit, si dhe për të gjeneruar rezultate paraprake. Sipas tij, sistemi do të funksionojë në mënyrë eksperimentale, pa ndikuar në procesin zyrtar të numërimit manual.
“Kjo është një fazë testuese, që do të na ndihmojë të kuptojmë potencialin e teknologjisë në proceset zgjedhore. Inteligjenca Artificiale nuk do të zëvendësojë njerëzit, por do të ndihmojë në rritjen e efikasitetit dhe besueshmërisë,” u shpreh Celibashi.
Shefi i KQZ theksoi se ky hap është pjesë e një procesi më të gjerë modernizimi, të mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë, i cili po e shndërron administrimin zgjedhor shqiptar në një model të krahasueshëm me standardet evropiane.
Testimi i IA në zgjedhjet e nëntorit shihet si një provë e rëndësishme për integrimin e teknologjisë në sistemin demokratik shqiptar, me synimin që në të ardhmen proceset e votimit dhe numërimit të bëhen më të shpejta, më transparente dhe më të sigurta.