
Kompani zvicerane dhe australiane po zhvillojnë organoide cerebrale që funksionojnë me neurone reale, duke premtuar ulje drastike të konsumit të energjisë
Një kapitull i ri dhe revolucionar po hapet në fushën e inteligjencës artificiale, ku teknologjia nuk mbështetet më vetëm te çipat dhe algoritmet, por edhe te neuronet e gjalla. Dy kompani, njëra zvicerane dhe tjetra australiane, po eksperimentojnë me të ashtuquajturat organoide cerebrale, struktura biologjike të përbëra nga rrjete neuronesh reale, të rritura në laborator dhe të lidhura me elektroda.
Këto “mini-tru”, me një diametër rreth gjysmë milimetri dhe të përbëra nga rreth 5 mijë neurone së bashku me qelizat mbështetëse, përfaqësojnë një teknologji ende në fazat fillestare. Megjithatë, potenciali i tyre po tërheq vëmendjen e botës shkencore dhe teknologjike. Start-up-i zviceran FinalSpark i kultivon këto organoide në laborator dhe ua vë në dispozicion klientëve, të cilët nga distanca dërgojnë impulse elektrike për të studiuar reagimet e tyre.
Edhe pse numri i neuroneve është shumë i vogël krahasuar me dhjetëra miliardë neurone që ka truri i njeriut, bashkëthemeluesi i kompanisë, Frédéric Jordan, shprehet i bindur se me kohë dhe investime, këto struktura biologjike mund të trajnohen për të kryer detyra gjithnjë e më komplekse. Qëllimi final është përdorimi i tyre si bioprocesorë, një alternativë krejtësisht e re ndaj kompjuterëve tradicionalë.
Një nga avantazhet kryesore të kësaj teknologjie lidhet me energjinë. Sipas zhvilluesve, përdorimi i organoideve cerebrale mund të ulë konsumin energjetik të një operacioni informatik deri në 100 herë, krahasuar me sistemet aktuale. Ky është një premtim i madh në një kohë kur inteligjenca artificiale dhe kriptomonedhat përbëjnë rreth 2 për qind të konsumit global të energjisë elektrike.
Megjithatë, rruga drejt përdorimit praktik është ende e gjatë. Shkencëtarët përballen me sfida të mëdha teknike, etike dhe biologjike, nga stabiliteti afatgjatë i neuroneve, te kontrolli i saktë i sjelljes së tyre. Pavarësisht kësaj, ideja e një inteligjence artificiale “të gjallë”, që funksionon me inde biologjike, po shihet si një nga drejtimet më radikale dhe intriguese të teknologjisë së së ardhmes.
