
Një analizë paralajmëron se IA mund të shumëfishojë paditë e përsëritura nga pak individë, duke paralizuar projekte publike dhe infrastruktura strategjike
Një analizë e mbështetur në studime amerikane ngre alarmin se inteligjenca artificiale mund të kthehet në një mjet të fuqishëm për bllokimin juridik të projekteve të mëdha publike, duke industrializuar një fenomen tashmë të njohur në sistemin e drejtësisë. Sipas të dhënave të cituara nga Mercatus Center dhe të theksuara në një notë të Fondapol, shumica dërrmuese e padive kundër aeroporteve kryesore në SHBA rezulton të vijë nga një numër tepër i kufizuar banesash.
Në vitin 2015, 84% e 1 223 padive kundër aeroportit Dulles, 78% e 8 760 padive kundër Ronald Reagan në Uashington dhe 73%e 4 870 padive kundër aeroportit të Denverit u depozituan, në secilin rast, nga e njëjta adresë. Kjo do të thotë se, pavarësisht fluksit të miliona pasagjerëve dhe qindra fluturimeve ditore, procedurat ligjore kundër këtyre gjigantëve të infrastrukturës janë ushqyer kryesisht nga një numër shumë i vogël individësh.
Analiza thekson se inteligjenca artificiale rrezikon ta përshkallëzojë këtë praktikë, duke e bërë më të lehtë, më të shpejtë dhe më të lirë prodhimin masiv të ankesave, padive dhe kundërshtimeve administrative. Kjo, sipas autorit, mund të çojë në paralizimin e projekteve strategjike, nga aeroportet dhe rrugët, deri te investimet energjetike, për shkak të mbingarkesës së gjykatave dhe procedurave pa fund.
Në vend që drejtësia të shërbejë si mekanizëm balancues mes interesit publik dhe të drejtave individuale, ekziston rreziku që ajo të shndërrohet në një fushëbetejë ku pak zëra, të pajisur me mjete teknologjike të avancuara, të kenë fuqinë të bllokojnë vendimmarrjen kolektive. Sipas analizës, sfida e ardhshme për shtetet do të jetë gjetja e një ekuilibri mes aksesit demokratik në drejtësi dhe mbrojtjes së interesit të përgjithshëm nga abuzimi sistematik.
