
Rana Faraj Oghli, e martuar me detyrim në moshën 16 vjeç, u ekzekutua pas viteve dhune në familje; aktivistët paralajmërojnë për raste të ngjashme në pritje të ekzekutimit
Një rast tronditës vjen nga Irani, ku autoritetet kanë ekzekutuar 24-vjeçaren Rana Faraj Oghli, e cila u martua si fëmijë me një burrë afro dy dekada më të madh dhe më pas e vrau atë pas viteve të dhunës në familje. Ekzekutimi u krye në burgun famëkeq Tabriz Central Prison, ndërkohë që mediat shtetërore nuk kanë raportuar zyrtarisht për rastin, një praktikë e njohur që, sipas aktivistëve, synon fshehjen e numrit të lartë të ekzekutimeve.
Rana u arrestua dy vite më parë dhe u dënua me vdekje pas një procesi gjyqësor të kritikuar gjerësisht për mungesë garancish ligjore dhe mbrojtjeje. Në gjykatë ajo nuk kërkoi avokat, duke theksuar se dëshironte vetëm “të lirohej nga një jetë që ishte si vdekje”.
Rasti ka ngritur sërish shqetësimin mbi fenomenin e martesave të detyruara dhe dhunës ndaj grave në Iran, ku sipas të dhënave të organizatave të të drejtave të njeriut, në vitin 2025 janë ekzekutuar 57 gra, numri më i lartë i regjistruar deri më sot. Në vitin 2024 ky numër ishte 34, ndërsa që prej vitit 2007 janë ekzekutuar mbi 320 gra, shumë prej tyre të përfshira në krime që lidhen me dhunë në familje ose vetëmbrojtje.
Rasti i Rana Faraj Oghli ka sjellë vëmendje edhe për një tjetër grua, 25-vjeçaren Goli Koukhan, e cila gjithashtu u martua fëmijë dhe rrezikon ekzekutimin nëse deri në dhjetor nuk paguan shumën prej 80 mijë paundësh në formë gjakmarrjeje. Edhe ajo, sipas aktivistëve, ka kaluar vite abuzimi dhe dhune.
Ndërkohë, raportimet flasin se vetëm gjatë fundjavës janë ekzekutuar 24 persona në Iran, përfshirë gra dhe burra, duke shtuar kritikat ndërkombëtare për ritmin alarmant të dënimeve me vdekje. Situata mbetet rëndë, ndërsa organizatat për të drejtat e njeriut kërkojnë ndërhyrje dhe presion ndërkombëtar.
