
Regjimi iranian injoron kërcënimet e SHBA-së, familja e protestuesit të parë në listë për ekzekutim përpiqet në minutën e fundit ta shpëtojë
Regjimi i Iran ka injoruar paralajmërimet e presidentit amerikan Donald Tramp dhe ka sinjalizuar përshpejtimin e ekzekutimeve ndaj protestuesve, pasi autoritetet kanë arrestuar mbi 18 mijë persona gjatë valës së protestave mbarëkombëtare kundër qeverisë.
Kërcënimet e Tramp për veprime shumë të forta në rast se Teherani nis varje të protestuesve nuk kanë ndalur autoritetet iraniane. Kreu i sistemit gjyqësor iranian, Gholamhossein Mohseni-Ejei, deklaroi se proceset gjyqësore do të jenë të shpejta dhe dënimet do të zbatohen pa vonesë, duke theksuar se ndëshkimi duhet të ketë efekt të menjëhershëm frikësues.
Sipas raportimeve të aktivistëve për të drejtat e njeriut, një 26-vjeçar, Erfan Soltani, pritet të jetë protestuesi i parë që përballet me ekzekutim. Familjarët e tij zhvilluan një përpjekje të dëshpëruar gjatë natës jashtë burgut Ghezel Hesar, duke kërkuar ndalimin e dënimit. Burime nga organizatat e të drejtave të njeriut bëjnë me dije se ai është mbajtur në izolim dhe se familja ka pasur shumë pak informacion për fatin e tij.
Protestat, të cilat nisën në fund të dhjetorit, janë përballur me një reagim të ashpër të forcave të sigurisë. Sipas të dhënave të Human Rights Activists News Agency, mbi 2 500 persona kanë humbur jetën gjatë përplasjes mes protestuesve dhe forcave shtetërore, një shifër që konsiderohet ndër më të lartat në dekadat e fundit në Iran.
Dëshmitarë në terren raportojnë për përdorim të dhunës së rëndë, arrestime masive dhe presion ndaj familjeve të viktimave. Sipas tyre, forca të sigurisë të veshura civilë kanë vepruar në mesin e turmave, duke krijuar klimë frike dhe pasigurie.
Ndërkohë, Tramp ka përsëritur thirrjet drejtuar protestuesve iranianë që të vazhdojnë rezistencën, duke lënë të kuptohet se SHBA po shqyrton opsione të ndryshme reagimi, përfshirë masa të forta politike dhe ushtarake. Ai ka deklaruar se vrasja e protestuesve është e papranueshme dhe se përgjegjësit do të përballen me pasoja.
Situata mbetet tepër e tensionuar, ndërsa Kombet e Bashkuara dhe organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë shprehur alarm për përshkallëzimin e dhunës dhe shkeljet serioze të të drejtave themelore të qytetarëve iranianë. Zhvillimet e ditëve në vijim pritet të jenë vendimtare për fatin e protestuesve dhe për përplasjen diplomatike mes Teheranit dhe Uashingtonit.
