
Tensionet SHBA–Iran në kulm, Teherani paralajmëron për përballje ushtarake ndërsa anijet amerikane afrohen në Lindjen e Mesme
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë hyrë në një fazë alarmante, pasi një zyrtar i lartë iranian ka lëshuar një paralajmërim të drejtpërdrejtë ndaj presidentit amerikan, Donald Tramp. Komandanti i Gardës Revolucionare Islamike, Mohammad Pakpour, deklaroi se Irani është më i gatshëm se kurrë për të vepruar ushtarakisht, duke theksuar se forcat iraniane janë me gishtin në këmbëz.
Deklarata u bë në një moment përshkallëzimi të fortë të situatës, ndërsa anije luftarake amerikane, përfshirë aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln, janë pozicionuar në rajon. Sipas Pakpour, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli duhet të shmangin çdo keqllogaritje, pasi Garda Revolucionare dhe Irani janë gati të zbatojnë çdo urdhër të komandës së lartë.
Përplasja vjen pas një vale protestash të dhunshme në Iran, të shpërthyera pas kolapsit të monedhës kombëtare në fund të dhjetorit. Organizatat e të drejtave të njeriut raportojnë se mijëra persona dyshohet se kanë humbur jetën gjatë shtypjes brutale të protestave nga autoritetet iraniane, ndërsa regjimi i ka cilësuar demonstratat si akte terroriste.
Nga ana e tij, Tramp ka ashpërsuar gjuhën ndaj Teheranit, duke vendosur dy vija të kuqe për ndërhyrje ushtarake: vrasjen e protestuesve paqësorë dhe ekzekutime masive të të ndaluarve. Duke folur nga bordi i Air Force One, ai konfirmoi se SHBA ka nisur një forcë të madhe detare drejt Iranit, duke paralajmëruar se goditjet e mundshme do të ishin shumë më shkatërruese se sulmet e mëparshme ndaj objekteve bërthamore iraniane.
Në sfond të këtyre zhvillimeve, Irani ka ndërmarrë një nga bllokimet më të mëdha të internetit në historinë e tij, duke e bërë të vështirë verifikimin e informacionit mbi situatën reale në terren. Megjithëse protestat janë zbehur ditët e fundit, grupet opozitare dhe aktivistët raportojnë se bilanci i viktimave vazhdon të rritet.
Përplasja verbale dhe ushtarake mes Uashingtonit dhe Teheranit po ushqen frikën për një përshkallëzim të ri në Lindjen e Mesme, me pasoja potencialisht të rënda për stabilitetin rajonal dhe global.
