
Manovrat dyditore në Ngushticën e Hormuzit vijnë mes rritjes së tensioneve me SHBA-në, pas dislokimit të një flote të fuqishme ushtarake amerikane në rajon
Irani ka njoftuar zhvillimin e një stërvitjeje detare dyditore me municion real në Ngushticën strategjike të Hormuzit, e planifikuar të nisë të dielën, vetëm pak ditë pasi Shtetet e Bashkuara dislokuan aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln dhe mjete të tjera ushtarake në Lindjen e Mesme.
Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane, CENTCOM, ka paralajmëruar Teheranin se nuk do të tolerojë manovra të pasigurta, përfshirë fluturime mbi anije luftarake amerikane apo afrimin e skafeve iraniane në trajektore përplasjeje me anijet e SHBA-së. Sipas CENTCOM, çdo veprim i tillë rrit rrezikun e përshkallëzimit dhe cenon sigurinë e lundrimit ndërkombëtar.
Tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit janë rritur prej javësh, pas paralajmërimeve të përsëritura të presidentit amerikan Donald Tramp për sulme ndaj Iranit, në lidhje me shtypjen e protestave antiqeveritare dhe përpjekjet për të frenuar programin bërthamor iranian.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se vendi i tij është i gatshëm për bisedime të drejta dhe të barabarta me SHBA-në, por ka theksuar se strategjitë e mbrojtjes dhe sistemet raketore nuk do të jenë kurrë pjesë e negociatave.
Ndërkohë, autoritetet ushtarake iraniane kanë paralajmëruar se çdo ndërhyrje amerikane do të përballet me kundërpërgjigje të fortë, duke theksuar se bazat dhe anijet amerikane në rajon janë brenda rrezes së raketave iraniane. Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon një pjesë e madhe e tregtisë botërore të naftës, mbetet një pikë kritike, ku çdo incident mund të ketë pasoja të gjera rajonale dhe globale.
Situata po ndiqet nga afër nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa përpjekjet diplomatike për të shmangur një konflikt të hapur vazhdojnë në disa kryeqytete.
