
Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi thotë se anulimi i ftesës është politik dhe e lidh me atë që e quan gjenocid ndaj palestinezëve
Irani ka reaguar ashpër ndaj organizatorëve të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, pasi ftesa për pjesëmarrjen e ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, u anulua në mes të protestave që po tronditin vendin kundër regjimit. Teherani e cilëson vendimin si një standard të hapur të dyfishtë dhe si rezultat të presionit politik nga Izraeli dhe aleatë të Shteteve të Bashkuara.
Në deklaratat e tij publike, Araghchi ka akuzuar drejtpërdrejt World Economic Forum për hipokrizi, duke theksuar se përfaqësuesit izraelitë vazhdojnë të ftohen dhe të marrin pjesë në Davos, pavarësisht asaj që ai e përshkruan si vrasje masive të palestinezëve në Gaza. Sipas tij, ftesa e tij u anulua mbi bazën e gënjeshtrave dhe presionit politik, ndërsa Izraeli gëzon imunitet diplomatik në skenën ndërkombëtare.
Forumi Ekonomik Botëror konfirmoi zyrtarisht se ministri iranian nuk do të marrë pjesë në Davos 2026, duke argumentuar se humbja tragjike e jetëve civile në Iran gjatë javëve të fundit e bën të papërshtatshme përfaqësimin e qeverisë iraniane në këtë forum. Sipas organizatës Iran Human Rights, me qendër në Norvegji, janë verifikuar mbi 3 mijë viktima nga protestat e shtypura nga forcat e sigurisë, ndërsa numri real dyshohet të jetë shumë më i lartë.
Araghchi ka reaguar edhe në rrjetin social X, duke deklaruar se Izraeli nuk është ndëshkuar në asnjë moment nga Davosi, pavarësisht akuzave për krime lufte dhe gjenocid ndaj palestinezëve. Ai ka përmendur edhe pjesëmarrjen e presidentit izraelit në Davos në vitet e mëparshme, duke e cilësuar këtë si provë të qartë të standardeve të dyfishta morale.
Në deklaratat e tij, ministri i Jashtëm iranian e ka quajtur vendimin e Forumit Ekonomik Botëror shenjë të falimentimit moral dhe intelektual të institucionit, duke theksuar se nëse Davosi pretendon të mbajë qëndrime morale, duhet të jetë i qëndrueshëm dhe jo selektiv.
Debati ka shtuar edhe më tej tensionet diplomatike mes Iranit dhe Perëndimit, ndërsa Davos 2026 zhvillohet në një klimë të rënduar protestash, konfliktesh globale dhe përçarjesh të thella politike.
