
Jeton Lami, akuzohet tani për vendosjen e eksplozivit ndaj një biznesi në Kamëz.
Emri i Jeton Lamit, ish-punonjës i Forcës Operacionale dhe një figurë e njohur për drejtësinë, është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes. Ai është një nga tre personat e arrestuar për vendosjen e lëndës plasëse në një biznes në Kamëz, një ngjarje që policia e Tiranës e zbuloi brenda 24 orësh në kuadër të operacionit “Motivi”.
Jeton Lami nuk është i panjohur për organet e hetimit. Në vitin 2022 ai u arrestua pasi akuzohej se ndihmoi të shumëkërkuarin Ervis Martinaj gjatë periudhës kur ky i fundit ishte në arrati dhe nën presion nga kundërshtarët. Hetimet provuan se Lami e kishte shoqëruar disa herë Martinajn me automjet nga Lezha në Laç dhe deri në Shkodër, duke e ndihmuar të shmangte kontrollet e policisë. Për këtë u akuzua për shpërdorim detyre, pasi në vend që ta arrestonte, ai ishte shndërruar në “shoferin” dhe “rojen” e tij personale.
Në korrik të vitit të kaluar, Lami i kërkoi Gjykatës së Lartë ta shpallte të pafajshëm, me argumentin se nuk ishte informuar se Martinaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, duke pretenduar se këto të dhëna mbaheshin vetëm në nivelet e larta të strukturave policore.
Po ashtu, ai figuron edhe si personi i fundit që ka qenë me Ervis Martinajn përpara zhdukjes së tij misterioze. Kamerat e sigurisë e fiksojnë Lamit më 7 dhe 9 gusht 2022 teksa e shoqëron Martinajn me një Audi A8 drejt një hoteli në Durrës, ku ai qëndronte me të dashurën. Prej 10 gushtit 2022, “mbreti i kumarit” nuk është parë më dhe zhdukja e tij mbetet një nga enigmat më të mëdha të botës së krimit në vend.
Tani, emri i Jeton Lamit del sërish në një dosje kriminale, kësaj here i lidhur me një tentativë gjobëvënieje ndaj një biznesi, për të cilin autorët dyshohet se kërkonin 500 mijë euro. Policia vijon kërkimet për një person të katërt të përfshirë në ngjarje, ndërsa hetimet janë zgjeruar për të zbuluar të gjitha lidhjet dhe prapaskenat e këtij episodi kriminal.
