
Hetimet flasin për abuzime të dyshuara gjatë 13 viteve, ndërsa viktima ka hequr dorë nga anonimiteti
Policia britanike ka bërë të ditur se gjashtë burra janë akuzuar për më shumë se 60 vepra penale me natyrë seksuale ndaj një viktime të rritur, të dyshuara se kanë ndodhur gjatë një periudhe 13-vjeçare, nga viti 2010 deri në vitin 2023.
Sipas autoriteteve, 49-vjeçari Philip Young, ish-bashkëshorti i viktimës, përballet me një numër të madh akuzash të rënda, përfshirë përdhunime të përsëritura, administrim të substancave për të mundësuar akte seksuale pa pëlqim, si edhe shkelje të tjera serioze. Ai ndodhet në paraburgim dhe pritet të dalë para gjykatës në Swindon.
Viktima, 48-vjeçarja Joanne Young, ka vendosur të heqë dorë nga e drejta ligjore për anonimat, duke kërkuar që emri i saj të bëhet publik. Sipas Wiltshire Police, ajo po mbështetet nga oficerë të trajnuar posaçërisht dhe nga shërbime ndihmëse, ndërsa autoritetet kanë kërkuar që privatësia e saj të respektohet.
Përveç ish-bashkëshortit, edhe pesë burra të tjerë janë akuzuar për vepra të ndryshme penale ndaj së njëjtës viktimë, përfshirë përdhunim dhe sulme seksuale. Ata janë lënë të lirë me kusht dhe do të paraqiten gjithashtu para gjykatës në të njëjtën datë.
Një përfaqësues i Crown Prosecution Service ka deklaruar se vendimi për ndjekjen penale është marrë pasi u vlerësua se ekziston prova e mjaftueshme dhe se çështja është në interes të lartë publik, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë me policinë gjatë hetimeve.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që kanë informacion të dobishëm lidhur me këtë çështje të kontaktojnë policinë, duke garantuar edhe mundësinë e raportimit anonim.
