
Kryeministri vijon të afrojë ish-figura të opozitës në administratë. Ish-deputetja e PD, Zheni Gjergji, ka marrë drejtimin e Spitalit Rajonal të Elbasanit, duke e cilësuar vendimin si një zgjedhje profesionale, jo politike.
Një tjetër figurë nga radhët e opozitës i është bashkuar administratës qeveritare të Edi Ramës. Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji, është emëruar drejtoreshë e Spitalit Rajonal “Dr. Xhaferr Kongoli” në Elbasan, duke u bërë pjesë e listës së gjatë të ish-zyrtarëve opozitarë që kanë pranuar poste nën qeverisjen socialiste.
Në një postim publik, Gjergji konfirmoi emërimin e saj dhe falënderoi për besimin e dhënë, duke theksuar se vendimi për të marrë drejtimin e spitalit ishte një hap i motivuar nga arsye profesionale dhe jo politike.
Sot kam pranuar me përgjegjësi dhe përulësi detyrën si drejtoreshë e Spitalit Rajonal Dr. Xhaferr Kongoli në Elbasan. Kjo nuk ishte një zgjedhje e lehtë politike, por një vendim thellësisht profesional dhe njerëzor, shkroi ajo, duke shtuar se synimi i saj është përmirësimi i shërbimit shëndetësor për qytetarët.
Emërimi i Zheni Gjergjit vjen pas një sërë rastesh të ngjashme, ku kryeministri Rama ka përfshirë ish-zyrtarë opozitarë në poste drejtuese të administratës. Më herët, Genc Deromemaj nga Partia Demokratike u emërua drejtor i Kadastrës në Vlorë, ndërsa Blendi Sulaj mori postin e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës. Edhe Artur Papajani, ish-drejtues i Tatimeve në qeverinë e PD-së, është vendosur në krye të Fondit të Kujdesit Shëndetësor.
Kryeministri Rama ka deklaruar disa herë publikisht se synon të afrojë profesionistë përtej kufijve partiakë, duke theksuar se administrata duhet të përfitojë nga ekspertiza dhe përvoja e çdo individi me integritet, pavarësisht përkatësisë politike.
Zheni Gjergji, e cila më herët ka qenë aktive në politikë si përfaqësuese e Partisë Demokratike, rikthehet tani në drejtim të një institucioni shëndetësor, duke e cilësuar këtë si një mundësi për t’i shërbyer qytetarëve të Elbasanit përmes profesionit të saj si mjeke.