
Rajmonda Dashi, e akuzuar për përfshirje në një skemë pastrimi parash përmes investimeve në pasuri të paluajtshme, do ta vuajë dënimin me shërbim prove.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur vendimin për ish-drejtoreshën e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi, e cila u dënua me 7 vite burg për pastrim parash në bashkëpunim. Falë gjykimit të shkurtuar, dënimi iu reduktua në 4 vite e 8 muaj, por në fund u konvertua në 3 vite shërbim prove duke shmangur kështu qelinë.
Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e masave të sigurisë, përfshirë ndalimin e daljes jashtë shtetit dhe detyrimin për t’u paraqitur në polici.
Në të njëjtën çështje, tre persona të tjerë; Besjan Ramaj, Leonard Ramaj dhe Ardjan Malasi, u dënuan në total me mbi 22 vite burg. Sipas hetimeve, ata kishin ngritur një skemë pastrimi parash që përfshinte investime në prona të paluajtshme në zonën e Durrësit, duke përdorur fonde të ardhura nga trafiku i drogës.
Hetuesit zbuluan se Dashi kishte luajtur rolin e saj si ish-zyrtare publike për të lehtësuar transaksionet dhe legalizimet e pasurive të përfshira në këtë rrjet kriminal.
Pavarësisht se u shpall fajtore për një nga veprat më të rënda ekonomike, vendimi i gjykatës e lejon ish-drejtoreshën të mos kalojë asnjë ditë pas hekurave, duke ngjallur reagime dhe debat mbi mënyrën si po zbatohet drejtësia ndaj zyrtarëve të lartë.