
31-vjeçarja akuzohet se drejtoi njërin nga automjetet e përdorura në vrasjen e Liçit në vitin 2018, por mohon çdo përfshirje në ngjarje.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën për zëvendësim të masës së sigurisë për Eria Agon, ish-partneren e Safet Bajrit, duke vendosur që ajo të qëndrojë në paraburgim.
Ago, e arrestuar në mars të këtij viti, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) se ka luajtur rol aktiv në atentatin ndaj Fatbardh Liçit, të ndodhur në gusht të vitit 2018 në lagjen “Kiras” të Shkodrës. Sipas hetimeve, ajo dyshohet se ka drejtuar njërin prej automjeteve të përdorura nga grupi që kreu ekzekutimin.
Edhe pse 31-vjeçarja ka mohuar në mënyrë të përsëritur akuzat dhe ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë lidhje me ngjarjen, gjykata nuk e ka pranuar kërkesën e saj për ndryshim të masës në një më të butë, duke vlerësuar se provat e mbledhura deri tani janë të mjaftueshme për ta mbajtur në qeli.
SPAK ka ngritur padi të rëndë ndaj disa personave të përfshirë në dosje, mes tyre Safet dhe Behar Bajrin, si dhe Astmer Bilalin. Të gjithë akuzohen për “vrasje me paramendim” në formën e bashkëpunimit, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerje veprash penale nga organizatë kriminale”.
Hetuesit dyshojnë se atentati ndaj Liçit ka qenë pjesë e një përplasjeje të gjatë mes grupeve rivale në Shkodër për kontrollin e territoreve dhe aktiviteteve të paligjshme. Vendimi i sotëm i GJKKO-s konsiderohet një tjetër sinjal se gjykata do të vijojë linjën e ashpër ndaj personave të dyshuar për përfshirje në krime të organizuara.