Hysen Kadiu, ish-kryetari i PD Kavajë, ka reaguar pas akuzave të hedhura në mbledhjen e Kryesisë se ai gjatë fushatës së zgjedhjeve të 11 majit kam punuar për Edi Ramën dhe nuk kam dhënë asnjë kontribut për PD.
Kadiu, si një ndër më të votuarit gjatë procesit të Primareve, shkruan në një mesazh në facebook, se aktiviteti i tij gjatë fushatës është publik në Facebook.
“I them doktor Berishës dhe të gjithë atyre që i rrinë afër dhe e kanë keqinformuar, se aktiviteti im gjatë fushatës është publik në Facebook-un tim. Sikundër, më mirë se kaq, këtë e dëshmojnë qytetarët e Kavajës dhe zonave përreth, që si në fushatë, para dhe pas saj, kemi qenë në kontakte dhe takime të vazhdueshme.
Beteja jonë nuk është me PD-në dhe demokratët, por me Edi Ramën. Çdokush që përpiqet të hedhë baltë mbi kontributin tim personal dhe të gjithë atyre që duan më të mirën për PD-në, janë të interesuar vetëm për karrigen e tyre”, shkruan Kadiu.
