
Yifat Tomer-Yerushalmi dyshohet për përfshirje në skandalin e rrjedhjes së materialeve nga qendra ushtarake Sde Teiman
Ish-Avokatja e Përgjithshme Ushtarake e Forcave të Armatosura të Izraelit, Yifat Tomer-Yerushalmi, është shtruar me urgjencë në spitalin Ichilov në Tel Aviv mëngjesin e së dielës, pas një incidenti shëndetësor të papritur në banesë.
Sipas mediave izraelite, familjarët njoftuan ekipin mjekësor duke raportuar se ajo nuk ndjehej mirë. Kur ambulanca mbërriti, Tomer-Yerushalmi u gjet në gjendje gjysmë të vetëdijshme dhe iu dha trajtim i menjëhershëm. Spitali njoftoi se tashmë ajo është në gjendje të vetëdijshme, por nuk dha detaje të mëtejshme mbi shkakun e incidentit apo nëse ka pasur tentativë vetëlëndimi.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi ish-gjeneralja u la në arrest shtëpie për 10 ditë, nën hetim për disa akuza të rënda që lidhen me të ashtuquajturin skandali Sde Teiman.
Tomer-Yerushalmi akuzohet për: Mashtrim; Shpërdorim detyre; Pengim të drejtësisë; Shkelje të besimit publik; Zbulim të materialeve të klasifikuara.
Hetimi lidhet me rrjedhjen e një videoje që dokumenton keqtrajtime ndaj një të ndaluari palestinez në qendrën ushtarake Sde Teiman në jug të Izraelit. Pamjet kanë shkaktuar tronditje dhe janë bërë pjesë e hetimeve për abuzim dhe shkelje të ligjit nga personeli ushtarak.
Gjatë hetimeve, policia dyshon se Tomer-Yerushalmi ka tentuar të shkatërrojë celularin e saj për të fshehur prova dhe kjo lidhet me një ngjarje të mëparshme ku u raportua tentativë vetëdëmtimi.
Prokuroria ka kërkuar masa shtesë kufizuese ndaj saj, përfshirë: Ndalimin e daljes jashtë vendit si dhe dorëzimin e pasaportës
Ndërkohë, debati publik në Izrael është i ndezur. Disa e shohin rastin si shembull të korrupsionit brenda institucioneve të sigurisë, ndërsa të tjerë si tentativë për të ndëshkuar ata që ekspozojnë problemet e brendshme të sistemit ushtarak.
Hetimet vijojnë. Gjendja shëndetësore e Tomer-Yerushalmi pritet të vlerësohet në orët në vijim.
