
Burime spitalore konfirmojnë se gjendja e themeluesit të Partisë Socialiste mbetet e rëndë, ndërsa familjarët po qëndrojnë pranë tij në çdo moment.
Prej më shumë se dhjetë ditësh, ish-kryeministri Fatos Nano ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po trajtohet në repartin e reanimacionit të një spitali privat në kryeqytet. Burime mjekësore bëjnë me dije se gjendja e tij paraqitet e ndërlikuar dhe kërkon kujdes të vazhdueshëm intensiv.
Nano është shtruar në spital më 8 tetor pas përkeqësimit të gjendjes, ndërsa mjekët po bëjnë përpjekje për stabilizimin e parametrave jetësorë. Deri më tani nuk janë dhënë detaje mbi diagnozën apo shkakun e saktë të gjendjes së tij, por mësohet se ekipi mjekësor po e ndjek me kujdes të veçantë çdo zhvillim.
Familjarët e ish-kryeministrit ndodhen pranë tij dhe kanë kërkuar respektimin e privatësisë gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Fatos Nano, një nga figurat më të njohura të tranzicionit politik shqiptar, ka drejtuar qeverinë në disa periudha midis viteve 1991 dhe 2005 dhe është ndër themeluesit e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Gjendja e tij shëndetësore ka shkaktuar shqetësim në opinionin publik dhe në radhët e politikës shqiptare.