
Tribunali Special e shpall përgjegjëse për urdhrat që çuan në masakrën e protestave studentore ku humbën jetën deri në 1.400 persona
Ish-kryeministrja e Bangladeshit, Sheikh Hasina, është dënuar me vdekje nga një Tribunal Special i Krimeve Ndërkombëtare në Dhaka, i cili e ka gjetur atë fajtore për krime kundër njerëzimit, të kryera gjatë shtypjes së përgjakshme të protestave studentore vitin e kaluar.
Vendimi historik erdhi pas gati një viti hetimesh, gjatë të cilave prokuroria pretendoi se 78-vjeçarja Hasina ka qenë “arkitekte dhe urdhërdhënëse kryesore” e një operacioni të dhunshëm shtetëror që, sipas OKB-së, mori jetën e deri në 1.400 protestuesve, shumica të vrarë nga forcat e sigurisë.
Hasina u gjykua në mungesë, pasi ajo ndodhet në Indi ku ka kërkuar azil politik që prej rrëzimit nga pushteti në vitin 2024. Qeveria e re e Bangladeshit e ka cilësuar procesin “transparent dhe të mbështetur mbi prova të pakundërshtueshme”, ndërsa mbështetësit e ish-kryeministres pretendojnë se bëhet fjalë për një ndjekje politike.
Tribunali e akuzoi Hasinën për urdhërimin e përdorimit të armëve të rënda, dronëve dhe helikopterëve për të shtypur protestën masive kundër qeverisë së saj, si dhe për dështimin e qëllimshëm për të ndaluar vrasjet dhe përplasjet.
Ky vendim pritet të rrisë tensionet politike në vend, ndërsa mbështetësit e saj paralajmërojnë protesta dhe qeveria bangladeshi ka vendosur forca shtesë sigurie në Dhaka dhe qytetet kryesore.
Ky është zhvillimi më i rëndë juridik në historinë moderne të Bangladeshit, ndërsa komuniteti ndërkombëtar pritet të reagojë brenda orëve të ardhshme.
