
Tribunali i Krimeve Ndërkombëtare në Dhaka e dënon në mungesë për shtypjen e përgjakshme të protestave studentore ku u vranë rreth 1,400 persona.
Tribunali Ndërkombëtar i Krimeve në Bangladesh ka shpallur fajtor ish-kryeministren Sheikh Hasina për krime kundër njerëzimit, duke e konsideruar atë “arkitektën kryesore” të represionit të dhunshëm ndaj protestave studentore të vitit 2024. Vendimi u dha në mungesë, pasi 78-vjeçarja vijon të jetë në arrati në Indi që prej rrëzimit të saj nga pushteti.
Sipas aktgjykimit, urdhrat e Hasinës për përdorimin e dronëve, helikopterëve dhe armëve të rënda kundër protestuesve çuan në vrasjen e rreth 1,400 qytetarëve dhe plagosjen e mijëra të tjerëve. Gjykata deklaroi se dhuna ishte e përhapur, sistematike dhe e drejtuar kundër popullsisë civile, duke përbërë qartësisht krime kundër njerëzimit.
Ushtria dhe policia u akuzuan se kanë hapur zjarr ndaj turmave të rinisë që udhëhiqnin protestat masive kundër qeverisjes 15-vjeçare të Hasinës, një periudhë e karakterizuar nga autoritarizmi, represioni politik dhe burgosje të kundërshtarëve.
Qeveria e përkohshme e udhëhequr nga fituesi i Nobelit, Muhammad Yunus, mohoi akuzat për një proces të motivuar politikisht, duke theksuar se gjykata ka funksionuar me transparencë totale dhe me vëzhgim ndërkombëtar.
Nga ana tjetër, partia e ndaluar e Hasinës, Awami League, e cilësoi gjykimin spektakël politik, duke i bërë thirrje mbështetësve të protestojnë, një situatë që ka rritur frikën për dhunë të mëtejshme. Ditët e fundit, vendi është tronditur nga dhjetëra shpërthime artizanale dhe mjete të djegura.
Hasina, e cila nuk e njeh autoritetin e gjykatës, deklaroi më herët se vendimi ishte i paracaktuar. Ndërkohë, autoritetet e Bangladeshit i kanë kërkuar Indisë të kufizojë paraqitjet e saj publike dhe komunikimet me mediat.
Vendi mbetet i tensionuar, ndërsa leximi i plotë i vendimit po vazhdon dhe pritet të shoqërohet me masa të rrepta sigurie.
