
Vanessa Gurrola Peraza, ish-mbretëreshë bukurie nga Meksika, akuzohet për vrasjen e Christian “El Chato” Espinoza Silver, pjesëtar i kartelit Arellano-Felix, me të cilin ishte e fejuar.
Një histori që përzien glamurin me botën e krimit ka tronditur Meksikën dhe SHBA. Vanessa Gurrola Peraza, 32 vjeç, modele dhe ish-mbretëreshë bukurie, është arrestuar në Kaliforni nën akuzën për vrasje të shkallës së parë ndaj të fejuarit të saj, Christian “El Chato” Espinoza Silver, anëtar i kartelit famëkeq Arellano-Felix.
Ngjarja ndodhi më 17 shkurt të vitit të kaluar në San Diego, pranë kufirit me Tijuana, ku dëshmitarët raportuan të shtëna pranë një kompleksi banimi. Viktima u gjet i qëlluar me armë zjarri, ndërsa hetimet çuan tek Gurrola, e cila u arrestua të hënën në mëngjes dhe ndodhet aktualisht në qendrën e paraburgimit Las Colinas në Santee.
Hetuesit dyshojnë se vrasja lidhet me përplasjen e dhunshme mes fraksionit “Los Chapitos” të kartelit Sinaloa, ku besohet se Gurrola kishte rol aktiv dhe mbetjeve të kartelit Arellano-Felix.
Gurrola u bë e njohur për publikun pasi u shpall “Mbretëresha e Festivalit të Luleve” në Mazatlán në vitin 2011 dhe më vonë krijoi linjën e saj të produkteve për humbje peshe. Me 1.4 milion ndjekës në Instagram, ajo u kthye në figurë të rrjeteve sociale, por gjithashtu në shënjestër të dyshimeve për pastrim parash dhe financim të jetës luksoze përmes aktiviteteve kriminale.
Media meksikane e ka quajtur “sozia e Emma Coronel”, bashkëshortes së El Chapos, për shkak të ngjashmërisë së habitshme fizike dhe lidhjeve të supozuara me djemtë e tij, Iván Archivaldo dhe Jesús Alfredo Guzmán Salazar.
Aktualisht, ajo pritet të dalë para gjykatës më 20 tetor, ndërsa nuk ka dhënë ende asnjë deklaratë publike mbi akuzat që mund t’i ndryshojnë jetën përgjithmonë.