Ndue Lugja, ish-student i dhjetorit në vitet 1990 kujton lëvizjen e asaj kohe që solli rrëzimin e regjimit komunist dhe ardhjen e demokracisë. Në një intervistë për “Shtypi i ditës dhe ju” në Report TV, ai flet për unitetin e jashtëzakonshëm që i bashkonte të rinjtë, duke sfiduar rrezikun me të cilët përballeshin.
“Në ato momente ne nuk kishim frikë se na bashkonte uniteti mes njëri-tjetrit, unitet i cili nuk ekziston sot. Në atë kohë kishte unitet të përbashkët dhe asnjëri nuk e nënvlerësonte vetveten mbi të tjerët. Sot mendoj se si ka mundësi kam pasur aq guxim në atë kohë kur jeta ishte në fije të penit, në rrugë kishte polici me shkopinj e skafandra dhe ne u shkonim përballë. Do ta bëja sërish”, u shpreh Lugja.
Lugja theksoi se Sali Berisha shkoi te studentët si ndërmjetës i Ramiz Alisë. Ai tha se i kishin kërkuar që të digjte teserën e Partisë së Punës, sikurse vepruan të tjerët. Por, sipas tij, Berisha iu kishte thënë se nuk e kishte teserën me vete.
“Berisha ka ardhur te ne si ndërmjetës i Ramiz Alisë, mes studentëve erdhi. Por më pas, meqenëse aty ai erdhi Gramoz Pashko, Meksi, Rruli, Preç Zogaj, shumë intelektualë. Atë ditë ai s’e kishte teserën e partisë. Po, i kërkuam Berishës të digjte teserën e partisë, nuk e kishte me vete. Ka qenë anëtar i asaj partie. Të tjerët i nxorën dhe i djegën. Ai nuk e kishte me vete. U tërhoq nga roli i ndërmjetësit me Ramiz Alinë dhe atë rol e mori Skënder Gjinushi dhe u fut totalisht me ne. Mirëpo, u krijua partia e PD. Krijimi i partisë së PD erdhi si pasojë e takimit të studentëve me Ramiz Alinë.”, shtoi ai.
Kujtoi edhe një diskutim të bërë me Berishën së fundmi lidhur me ‘luftën’ për vulën e logon e PD.
“Më kujtohet në një debat me Sali Berishën, më duket vitin e kaluar apo dy vjet përpara, për përvjetorin e Azem Hajdarit. I kam thënë doktor pse shkon në gjykatë duke kërkuar vulën e logon. Ndër themeluesit jemi një pjesë këtu. I ftojmë të gjithë dhe ne jemi logoja dhe vula e PD-së.”, tha ai.
