
I dënuari për pedofili, i cili po vuante 29 vite burg për abuzime të tmerrshme ndaj fëmijëve, u vra me thikë nga një tjetër i burgosur në qelinë famëkeqe britanike “Monster Mansion”. Hetimet zbulojnë detaje tronditëse nga jeta dhe fundi i tij në burg.
Ish-këngëtari i grupit “Lostprophets“, Ian Watkins, është vrarë në burgun e sigurisë së lartë HMP Wakefield në West Yorkshire, ku po vuante një dënim 29-vjeçar për krime të rënda seksuale ndaj fëmijëve. Ngjarja ndodhi të shtunën në mëngjes, menjëherë pasi të burgosurit u liruan nga qelitë e tyre. Sipas burimeve të policisë, 48-vjeçari u godit me thikë nga një tjetër i dënuar dhe vdiq nga humbja e madhe e gjakut, pavarësisht ndërhyrjes mjekësore të menjëhershme.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik britanik, pasi Watkins konsiderohej një nga pedofilët më të përfolur në historinë moderne të Mbretërisë së Bashkuar.
Ish e dashura e tij, Joanne Mjadzelics, gruaja që ndihmoi në ekspozimin e krimeve të tij, tha: “Jam e tronditur, por jo e befasuar. Ai kishte një ‘target’ mbi shpinë që në ditën e parë. Gjithmonë kam jetuar me frikën se mund të dilte dhe të më gjente. Tani ndjej lehtësim.”
Ajo shtoi: “Familjet e viktimave do të jenë po aq të lehtësuara sa unë. Njeriu që unë mendoja se e doja, nuk ekzistonte kurrë. Ai ishte një përbindësh që luante rol.”
Watkins, i cili dikur kishte miliona ndjekës dhe albume në majat e top-listave, u dënua në vitin 2013 për 13 akuza penale, përfshirë tentativë përdhunimi të një foshnjeje 11-muajshe dhe nxitje për abuzim seksual ndaj fëmijëve në internet.
Hetimet e asaj kohe zbuluan një sasi të frikshme materialesh pedofilie në kompjuterët e tij, mbi 27 terabyte të dhëna, më shumë se kapaciteti i të gjithë sistemit të policisë së Uellsit të Jugut. Ai ishte aq i sofistikuar në përdorimin e programeve të fshehjes, saqë u desh të përfshiheshin ekspertët e shërbimit sekret britanik GCHQ, për të thyer fjalëkalimet e tij.
Në vitin 2023, Watkins kishte mbijetuar nga një tjetër sulm në burg, ndërsa më parë ishte dënuar me 10 muaj shtesë për mbajtje të paligjshme të një telefoni celular, që përdorej për të kontaktuar gra që i dërgonin letra dhe dhurata në burg.
Gjatë hetimeve, Mjadzelics kishte paralajmëruar disa herë autoritetet për sjelljen e tij të sëmurë, por për vite të tëra askush nuk e mori seriozisht. Vetëm pas një bastisjeje për drogë në vitin 2012, policia zbuloi provat që e fundosën përfundimisht.
Watkins, i lindur në Pontypridd, Uells, ishte një figurë e famshme e skenës alternative britanike në fillim të viteve 2000, por pas dënimit, grupi “Lostprophets” u shpërbë menjëherë dhe muzika e tyre u tërhoq nga platformat digjitale dhe dyqanet muzikore.
Vdekja e tij ka hapur debat të gjerë në Britani mbi sigurinë e të dënuarve të profilit të lartë, por edhe mbi pyetjen morale që tashmë po qarkullon në publik: A foli drejtësia e burgut më shpejt se ajo e ligjit?