

Një i ri shqiptar, vetëm 20 vjeç, është arrestuar nga policia italiane në provincën e Luccas, pasi u kap duke shpërndarë kokainë në doza.
Operacioni nisi pas një kontrolli rutinë ndaj një automjeti Fiat Panda, i marrë me qira nga një agjenci, që i dyshuari po drejtonte. Gjatë inspektimit, oficerët zbuluan se në çantën e tij kishte kartëmonedha të vogla, të cilat ngritën dyshime për aktivitet të paligjshëm. Kontrolli i thelluar i mjetit çoi në gjetjen e një çorapeje të fshehur poshtë sediljes së shoferit, ku ishin futur 26 doza kokaine me peshë totale 33 gramë, si dhe një kartë sigurimi shëndetësor që i përkiste një personi tjetër.
Hetimet vijuan me një kontroll në një hotel në zonën e Altopascios, ku i riu kishte prenotuar një dhomë. Në bagazhin e tij policia gjeti një çantë shpine me 9,865 euro cash. Në total, shuma e sekuestruar arriti afro 10 mijë euro, e konsideruar si fitim nga aktiviteti i trafikut të drogës.
Policia italiane theksoi se i riu kishte mbërritur në Itali më pak se një muaj më parë, ndërsa ka pranuar autorësinë e veprës penale. Ai do të gjykohet me procedurë të shkurtuar në një proces të përshpejtuar.