Ngjarja e rëndë në Romë ka ndezur zemërimin publik, ndërsa Matteo Salvini kërkon masa ekstreme për autorët e sulmit që shkatërruan automjetin e çiftit dhe përdhunuan vajzën para syve të të fejuarit.
Italia është përfshirë nga një valë indinjate pas publikimit të detajeve tronditëse të sulmit të ndodhur më 25 tetor në lagjen Tor Tre Teste të Romës, ku pesë persona të përshkruar nga policia si emigrantë nga Afrika e Veriut sulmuan një çift të ri, thyen dritaren e makinës dhe përdhunuan një vajzë 18-vjeçare, ndërsa partneri i saj 24-vjeçar u mbajt i bllokuar dhe i detyruar të shihte dhunën.
Zëvendëskryeministri Matteo Salvini reagoi me tone të ashpra, duke kërkuar kastrim kimik për autorët e ngjarjeve të tilla. Ai deklaroi se konferencat e sensibilizimit nuk mjaftojnë, ndërsa kërkoi masa konkrete për frenimin e dhunës seksuale që, sipas tij, po rritet paralelisht me flukset migratore.
Sipas policisë, sulmi ndodhi në një park të njohur për çiftet, por i kthyer prej kohësh në zonë të rrezikshme për shkak të trafikut të drogës dhe mungesës së ndriçimit. Sulmuesit goditën me shishe për të thyer xhamin e makinës, nxorën vajzën me forcë dhe ia morën telefonin për të shmangur thirrjen e ndihmës.
Të tronditur, të rinjtë arritën të largoheshin vetëm pasi agresorët u zhdukën në errësirë. Ata shkuan në spital, ku hetuesit nisën menjëherë ndjekjen e grupit. Tre persona me origjinë marokene u arrestuan të martën, dy në Romë dhe një në Verona, ndërsa kërkimet për të paktën dy të tjerë vazhdojnë.
Banorët e Tor Tre Teste flasin për një realitet të degraduar, ku parqet janë kthyer në territore të braktisura. Familjet thonë se nuk ndihen të sigurta, ndërsa raste të ngjashme të dhunës seksuale janë raportuar edhe më parë në zonë.
Kryeministrja Giorgia Meloni ka dënuar sulmin, duke e cilësuar dhunën ndaj grave si sulm ndaj lirisë së gjithsecilit. Ajo theksoi se Italia duhet të forcojë akoma më shumë mekanizmat e mbrojtjes, parandalimit dhe ndëshkimit.
Italia vijon të jetë porta kryesore hyrëse për migrantët nga Afrika drejt Evropës, me mbi 63 mijë mbërritje vetëm këtë vit.

