Këto ditë, gripi sezonal në Itali është shumë afër nivelit më të lartë të përhapjes, të ashtuquajturit “kulmi”.
Në javën e fundit u regjistruan 800,000 raste të reja dhe me rihapjen e shkollave, ka shumë të ngjarë që këto shifra të vazhdojnë të rriten, sipas ekspertëve.
Departamentet e urgjencës së spitaleve janë nën presion, për shkak të pacientëve që i përkasin grupeve vulnerabël dhe komplikacioneve, kryesisht me simptoma të pneumonisë.
Sipas mediave italiane, problemet kryesore po ndodhin në rajonet jugore të vendit, kryesisht në Kalabri dhe Siçili. Në kryeqytetin e Siçilisë, Palermo, me pranimet e fundit të pacientëve, kapaciteti i parashikuar është tejkaluar me 300%.
Mjekët ankohen se koha e pritjes për pacientët, shumë shpesh në reparte, vazhdon të rritet. Sipas ekspertëve, në ishullin më të madh të Italisë, këtë vit po regjistrohet një rritje e ndjeshme e problemeve të frymëmarrjes, pjesërisht për shkak të përqindjes së reduktuar të qytetarëve të vaksinuar kundër gripit.
Në Napoli, megaqytetin në Italinë jugore, spitalet janë gjithashtu nën presion. 30% e pacientëve të shtruar në urgjencë kanë simptoma të pneumonisë, ndërsa pranimet në spitalin pediatrik Santo Stefano gjatë festave tejkaluan 350 në ditë.
