
Në një vend që njihet për balancën e brishtë mes fesë dhe shtetit, Italia e Giorgia Melonit po hyn në një debat të zjarrtë. Partia e saj, Fratelli d’Italia, ka paraqitur në Parlament një projektligj të ri kundër “separatizmit kulturor” dhe “radikalizmit islamik”, i cili synon të ndalojë mbajtjen e burkës dhe martesat e detyruara, si dhe të kufizojë financimet e huaja për organizatat fetare.
Sipas nismëtarëve, qëllimi është i qartë: “të pengohet krijimi i enklavave ku zbatohet ligji i Sheriatit dhe jo ai italian.”
Projektligji do të ndalojë mbulimin e plotë të fytyrës në çdo hapësirë publike: shkolla, universitete, zyra, spitale e dyqane dhe parashikon gjobë nga 300 deri në 3000 euro për shkelësit. Deputetja Andrea Delmastro, bashkautore e ligjit, theksoi se liria fetare është e shenjtë, por duhet të ushtrohet në dritën e ditës, në respekt të Kushtetutës italiane.
Projektligji përfshin pesë nene që synojnë të rregullojnë financimet e xhamive, të rrisin dënimet për martesat e detyruara dhe të ndalojnë certifikatat e virgjërisë, të cilat disa familje radikale myslimane ua kërkojnë vajzave të tyre përpara martesës.
Deputetët e Fratelli d’Italia po e prezantojnë nismën si një mburojë për identitetin italian dhe një hap për të shmangur ndikimet fetare të jashtme. “Ne u frymëzuam nga modeli francez i laicitetit. Asnjë financim i huaj nuk duhet të rrezikojë kurrë sovranitetin dhe qytetërimin tonë,” -deklaroi nënsekretarja e drejtësisë Andrea Delmastro.
Por jo të gjithë e shohin këtë nismë si mbrojtje të vlerave kombëtare. Imami italian Massimo Abdallah Cozzolino e quajti projektligjin të panevojshëm dhe të rrezikshëm për bashkëjetesën shoqërore.
“Ligje që garantojnë sigurinë publike ekzistojnë tashmë,” – tha ai. “Kjo nismë nuk mbron qytetarët, por rrezikon të minojë identitetin fetar të një komuniteti të tërë.”
Italia ka që nga viti 1975 një ligj që ndalon fshehjen e fytyrës në publik, por pa përmendur specifikisht burkën.
Franca ishte vendi i parë që ndaloi burkën në vitin 2011, e më pas u pasua nga Belgjika, Austria, Zvicra, Tunizia, Turqia dhe më shumë se 15 vende të tjera. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka mbështetur ndalime të tilla, duke argumentuar se ato mbrojnë parimin e jetesës së përbashkët.
Me shumicën parlamentare që gëzon qeveria e djathtë, miratimi i ligjit duket i pashmangshëm. Por Italia tashmë është përballë një dileme të thellë: A është ky një akt në mbrojtje të laicizmit, apo një goditje ndaj lirisë fetare?
Një debat që mund të përcaktojë se deri ku shkon kufiri mes identitetit kombëtar dhe të drejtës për të besuar.