
Incidenti i rëndë pranë rezidencës presidenciale shkakton alarm të menjëhershëm dhe bllokim të disa godinave qeveritare në Washington
Dy pjesëtarë të Gardës Kombëtare u qëlluan pasditen e 26 nëntorit në qendër të Washingtonit, vetëm pak blloqe larg Shtëpisë së Bardhë, duke detyruar autoritetet të vendosin në izolim disa prej institucioneve kryesore federale.
Në momentin e sulmit, presidenti Donald Tramp nuk ndodhej në kryeqytet, por në rezidencën e tij në Mar-a-Lago për pushimet e Ditës së Falënderimeve. Sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, presidenti është informuar menjëherë për situatën dhe po e ndjek zhvillimin nga larg.
Policia e Metropolitan DC njoftoi se autori i dyshuar i të shtënave është kapur dhe ndodhet në paraburgim. Ndërkohë, krahas Shtëpisë së Bardhë, masa izolimi iu vendos edhe Departamentit të Thesarit dhe ndërtesës Freedman’s Bank, teksa nuk dihet nëse institucione të tjera janë prekur nga urdhri i mbylljes.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të lartë sigurie, duke ardhur në një moment kur kryeqyteti amerikan përgatitej për festimet e fundvitit. Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbuluar motivet dhe rrethanat e plota të sulmit.
