Një tjetër krizë ka shpërthyer mes Izraelit dhe Hamasit pas dorëzimit të disa mbetjeve njerëzore që, sipas autoriteteve izraelite, nuk i përkasin një pengu të ri, por trupit të një viktime të kthyer tashmë dy vite më parë.
Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu njoftoi se mbetjet e dorëzuara mbrëmjen e së hënës nëpërmjet Kryqit të Kuq u përkasin Ofir Tzarfatit, një nga viktimat e masakrës së festivalit “Nova” më 7 tetor 2023, i cili ishte identifikuar dhe varrosur në fund të nëntorit të atij viti. Në deklaratën zyrtare thuhet se ky veprim përbën një shkelje të qartë të marrëveshjes nga ana e Hamasit, ndërsa Netanyahu ka thirrur një takim urgjent me drejtuesit e mbrojtjes për të vendosur masat e mëtejshme.
Burime ushtarake izraelite kanë pretenduar për median Arutz Sheva se militantë të Hamasit simuluan gjetjen e trupit, duke e vendosur në një gropë dhe më pas njoftuar Kryqin e Kuq sikur ta kishin zbuluar rishtazi.
Nga ana tjetër, një zyrtar i Hamasit deklaroi për Al Jazeera se mbetjet ishin gjetur në lagjen Tuffah të Gazës dhe u dorëzuan në orën 21:00, vetëm pak orë para skadimit të afatit të vendosur nga presidenti amerikan Donald Tramp për kthimin e trupave të pengjeve.
Familja e Tzarfatit reagoi me indinjatë, duke e cilësuar rastin si një akt mashtrimi të neveritshëm që plagos sërish familjen. Në një deklaratë, ata thanë se kjo është hera e tretë që detyrohen të hapin varrin e të birit.
“Ne shpresuam se një tjetër familje do të mbyllte rrethin e dhimbjes, por në vend të kësaj përjetuam një tjetër mashtrim. Kjo plagë nuk mbyllet kurrë”, thuhet në reagim.
Tzarfati, që kishte shkuar në festival për të festuar ditëlindjen e tij, u rrëmbye nga militantët dhe u vra gjatë sulmit të Hamasit në jug të Izraelit. Trupi i tij ishte kthyer për varrim në dhjetor 2023, ndërsa në muajt pasues grupi militant publikoi disa materiale propagandistike me imazhe të trupit të tij.
Ky incident pritet të ndikojë në marrëdhëniet tashmë të tensionuara midis Izraelit dhe Hamasit, si dhe në procesin e ndjeshëm të kthimit të mbetjeve të pengjeve të tjerë që mbeten ende në Gaza.
