
Katari konfirmon marrëveshjen e ndërmjetësuar për ndalimin e luftës, tërheqjen e trupave izraelite dhe shkëmbimin e të burgosurve
Presidenti amerikan Donald Tramp njoftoi të mërkurën se Izraeli dhe Hamasi kanë arritur marrëveshje për fazen e parë të armëpushimit në Rripin e Gazës, një zhvillim që ai e quajti moment historik për paqen në Lindjen e Mesme.
Lajmi u konfirmua më pas nga Katari, ndërmjetësuesi kryesor në bisedime, i cili deklaroi se është arritur marrëveshje mbi të gjitha dispozitat dhe mekanizmat e zbatimit” të kësaj faze të parë.
Sipas një deklarate publike të Hamasit, marrëveshja parashikon përfundimin e luftës në Gaza, tërheqjen e forcave izraelite, hyrjen e ndihmave humanitare dhe një shkëmbim të burgosurish.
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyah tha se qeveria e tij do të mblidhet të enjten për të miratuar zyrtarisht planin e armëpushimit, duke e cilësuar këtë si një ditë të madhe për Izraelin.
Ndërkohë, në qytetet e Gazës janë raportuar skena festash dhe brohorima në rrugë, pas publikimit të lajmit për marrëveshjen. Pamje të transmetuara nga Khan Younis treguan dhjetëra palestinezë që valëvisnin flamuj dhe shprehnin gëzimin pas 24 muajsh lufte të përgjakshme.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, më shumë se 67 mijë persona janë vrarë dhe rreth 170 mijë janë plagosur që prej fillimit të luftës në tetor 2023, ndërsa mijëra të tjerë vazhdojnë të jenë nën rrënoja. Në Izrael, gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023, u vranë 1,139 persona dhe rreth 200 u morën peng.
Nëse marrëveshja miratohet nga qeveria izraelite dhe zbatohet plotësisht, kjo do të përbënte armëpushimin e parë gjithëpërfshirës pas dy vitesh luftë, duke hapur rrugën për bisedime më të gjera drejt një zgjidhjeje afatgjatë për Gazën.